“Lagjja e Trimave”, avokati mbrojtës: Rasti të trajtohet si “27 Prilli”

Rasti gjyqësor për Lagjen e Trimave sa më shpejtë të dërgohet në Gjykatën e Apelit. Kjo është kërkesa e familjarëve të të akuzuarve në këtë rast, të cilën e përcjell avokati mbrojtës i të akuzuarit Fadil Fejzullahu, Lupço Veselinovski. Veselinovski ngre zërin, për siç shprehet ai qasje selektive nga ana e gjykatës. Vlerëson se u jepet rëndësi e theksuar vetëm ngjarjeve të 27 prillit, ndërsa lënda e Lagjes së Trimave ka ngecur. Ai madje pret që këto ditë Gjykata e Apelit të caktoj seancë publike.

“Rasti i Kumanovës është lënë pas dore, në kuptimin që tashmë 14 muaj lënda ende qëndron në Gjykatën Themelore Shkupi 1, ankesat janë dërguar në kohë, të gjitha afatet janë tejkaluar. Klienti im dhe të akuzuarit e tjerë në rastin e Lagjes së Trimave më lajmëruan se nuk kanë mbajtur grevë për shkak të amnistisë por që lënda sa më shpejtë të dërgohet Në Gjykatën e Apelit pas ankesave tona- deklaroi Lupço Veselinovski- avokat mbrojtës në rastin Lagja e Trimave.

Sipas Veselinovskit rastet si 27 prilli edhe Lagja e Trimave kanë të bëjnë me veprën terrorizëm, andaj duhet të trajtohen me qasje të barabartë. Ai nuk përjashton mundësinë që për shkak të lëshimeve lënda të kthehet në rigjykim.

Ngjarjet e 27 prillit kanë të bëjnë me veprën terrorizëm, edhe Lagja e trimave njësoj. Mendimi im është se për të dyja lëndët duhet të veprohet njësoj nga sistemi i drejtësisë. Në rastin Lagja e Trimave janë bërë lëshime të natyrës formale dhe faktike kështu që, pres që këtë lëndë Gjykata e Apelit ta ndërpresë dhe ta dërgoj në rigjykim- tha Lupço Veselinovski.

Edhe avokati Mefail Asllani i cili mbron Valdet Zekën, Nasuf Beqirin, Betim Kabashin, Rufki Dogani thotë se janë bërë shumë lëshime gjatë lëndës dhe se asnjëherë nuk respektohen afatet për fazën ankimore dhe se që në fillim kjo lëndë ka pasur lëshime dhe nuk është punuar në mënyrë profesionale.

Nga 38 personat e akuzuar për këtë rast, 4 janë liruar, 8 u dënuan me burgim të përjetshëm ndërsa të tjetër me 746 vjet burg. Rasti Lagja e Trimave në Kumanovë ndodhi më 9 dhe 10 majit të vitit 2015 ku si pasojë e përleshjeve të armatosura u vranë 8 pjesëtarë të policisë dhe 10 anëtarë të grupit të armatosur./Alsat


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu