Lajçak arrin sot në Kosovë, takohet pasdite me kryeministrin Kurti

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Prishtinë.

Lajmin për ardhjen e Lajçakut e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Stano tha se këto vizita kanë për qëllim përparimin në përgatitjet për takimin e radhës të dialogut Prishtinë-Beograd, në nivel të lartë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do ta pres në takim Lajçakun me të arritur ai në Kosovë. Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Po do të ketë takim. Takimi do të mbahet në ora 18:00”, ka thënë Kryeziu.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano përkujtoi se në takimin e fundit i cili u mbajt më 15 nëntor, ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së, kërkuan nga Kosova dhe Serbia respektimin e marrëveshjeve të arritura.

Duke u ndërlidhur me këtë, Stano theksoi që kjo nënkupton edhe respektimin e marrëveshjes lidhur me vizitat e zyrtarëve të lartë të Beogradit në Prishtinë dhe anasjelltas, që u arrit në kuadër të dialogut.

Më 23 nëntor, Qeveria e Kosovës sërish refuzoi kërkesën e shefit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq që ta vizitojë Kosovën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu