Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka përfunduar vizitën e tij zyrtare në Kosovë.
Siç njofton Zyra e BE-së në Kosovë, gjatë vizitës së tij nga 15 deri më 17 shtator 2021, Lajçak vazhdoi diskutimet e tij rreth hapave të ardhshëm në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Lajçak mbajti takime thelbësore me dy bashkëbiseduesit e tij kryesorë në Kosovë, kryeministrin Albin Kurti dhe zv/kryeministrin e Parë dhe Kryenegociatorin Besnik Bislimi. Në diskutimet e tyre, ata analizuan procesin e Dialogut deri më tani dhe diskutuan hapat e ardhshëm, përfshirë takimin e ardhshëm të nivelit të lartë, si dhe takimin e ardhshëm të Kryenegociatorëve.
Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, Emisari i posaçëm i BE-së gjithashtu u takua me presidenten Vjosa Osmani, Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, udhëheqësit e grupeve parlamentare, si dhe udhëheqësit e partive politike, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Listën Serbe. Në takimet e tij, ai theksoi rolin e rëndësishëm të Parlamentit dhe opozitës në mbështetjen e qeverisë në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
“Kosova ka bërë përparim të madh në shumë fusha dhe shumë nga kjo mund t’i atribuohet drejtpërdrejt Dialogut, por vetëm paramendoni përfitimet shtesë që Kosova mund t’i ketë për qytetarët e saj duke arritur një marrëveshje përfundimtare të normalizimit gjithëpërfshirëse me Serbinë”, theksoi emisari Lajçak.
Gjatë vizitës së tij, ai gjithashtu shkëmbeu mendime me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Kosovë dhe diskutoi me studentët për përfitimet e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Pas takimeve në Prishtinë, Lajçak do të udhëtojë për takime zyrtare në Beograd.









