Lajçak pas takimit me Kurtin: Kosova e Serbia duhet ta përcaktojnë marrëveshjen finale, e rëndësishme që të mos ketë tensione

I dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta përcaktojnë të dyja vendet e jo ai.

Lajçak këto deklarata i bëri pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.

“Kjo s’varet nga unë, që të vendos në emër tuaj. Për këtë është dialogu”, ka thënë Lajçak.

AI tha se është shumë e rëndësishme që të mos ketë tensione, teksa afati për riregjistrimin e makinave është paraparë të përmbyllet më 31 tetor.

Këto komente ai i bëri pas u takua në Prishtinë më 22 tetor me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Shqetësimi jonë është që të mos kemi tensione apo dhunë në terren, kjo është shumë e rëndësishme sepse nuk është në interesin e Kosovës”, tha Lajçak.

I pyetur nëse kanë diskutuar për propozimin që afati për riregjistrimin e makinave të shtyhet për 10 muaj, Lajçak konfirmoi se kjo temë ka qenë pjesë e diskutimit me Kurtin.

“Kemi diskutuar çështjen e targave, por është vendimi i kryeministrit dhe nuk do të komentoj në emrin e tij”, tha ai.

Qeveria e Kosovës nga 1 shtatori ka nisur procesin e konvertimit të targave që lëshohen nga Serbia, në ato RKS- Republika e Kosovës. Por, interesimi i serbëve, ka qenë i vogël.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së fundit në Kosovë këtë javë, deklaroi se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës, të shtyjë për 10 muaj procesin e riregjistrimit të targave.

Lajçak shtoi se diskutimi me Kurtin ishte “konstruktiv dhe i dobishëm”.

Ne kemi progres në diskutimet tona dhe kjo është e gjitha çfarë mund të them tani”, theksoi ai.

Vizita e Lajçakut në Kosovë vjen po ashtu në kohën kur në opinion po qarkullon një i ashtuquajtur propozim gjermano-francez në lidhje me lehtësimin dhe zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur në lidhje me këtë propozim, Lajçak tha se “natyrisht që kanë biseduar për këtë”

Kjo është arsyeja që po vij këtu çdo javë. Por, shpresoj që e kuptoni se nuk do t’i ndihmonte procesit, nëse unë jam ai që jap detaje. Këto janë çështje të ndjeshme dhe jam në kontakt javor me kryeministrin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, tha Lajçak.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu