Këtë të martë, në Bruksel do të nisë raundi i ri i bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Takimi do të jetë në nivel ekspertësh. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak derisa ka treguar për takimin që do të zhvillojë sot tha se ka shumë cështje urgjente për t’u diskutuar.
“Sot dhe nesër, unë do të mbaj takime me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga Kryenegociatorët e tyre Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Ka shumë çështje urgjente për t’u diskutuar dhe unë pres të gjej një mirëkuptim të përbashkët në rrugën përpara”, ka shkruar Lajçak.
Ndërkohë, ende nuk është caktuar data dhe koha e takimit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic për raudin e radhës në dialog.
Dy takimet e mëhershme midis Kurtit dhe Vucic në kuadër të dialogut përfunduan pa ndonjë rezultat pozitiv dhe me qëndrime thuajse diametralisht të kundërta.
Bashkimi Evropian ka kërkuar nga palët që të tregohen më konkrete në dialog dhe të arrihet sa më shpejtë një marrëveshje e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.









