Lajçak: Vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet, ndryshoi planet

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se vendimi i Kosovës për reciprocitet për letërnjoftimet, ka ndryshuar temat dhe planet e vizitës së tij.

Ai nuk ka pranuar të komentojë kërcënimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Kemi pasur diskutim shumë serioz mbrëmë për situatën dhe sigurisht duhet të shikojmë për zgjidhje nëpërmjet dialogut dhe jo konfrontimeve”, ka thënë Lajçak në Beograd, raporton “N1”.

Ai ka thënë se tash është situatë e re që ia ka ndryshuar planet e vizitës në rajon.

“Kam ardhur në rajon për ta përgatitur takimin e ardhshëm të liderëve dhe të flas për progresin dhe normalizimin e raporteve dhe tani duhet të zgjidhim këtë situatë. Nuk duhet të lejojmë të ketë krizë”, ka thënë ai.

Para vizitës në Beograd, më 27 qershor, Lajçaku ishte në Kosovë.

Ndërsa të mërkurën e 29 qershorit, në një konferencë për media, Lajçak është shprehur optimist për takim mes krerëve të Kosovës dhe të Serbisë para pushimeve të verës.

Po atë ditë, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 85-të ka marrë vendim për regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet me targa që bartin akronimet e qyteteve të Kosovës dhe që lëshohen nga autoritetet në Serbi. Po ashtu, ka marrë vendim për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Ata, sipas vendimit, mund t’i regjistrojnë automjetet e tyre me targa RKS nga 1 korriku deri në fund të muajit shtator.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu