Liderët e Maqedonisë nuk arritën marrëveshje, ja kur do mbahet takimi i rradhës

Pa marrëveshje konkrete ka përfunduar takimi i sotëm mes liderëve të katër partive, Zoran Zaev, Hristijan Mickovski, Ali Ahmeti dhe Bilall Kasami. Marrëveshja e vetme e katër bashkëbiseduesve ishte që të takohen përsëri të dielën ose të hënën për të tentuar që të tejkalojnë përfundimisht dallimet për formimin e komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe organizimin e referendumit për marrëveshjen me Greqinë.

Zoran Zaev, kryeministër: “Qëllimet strategjike të vendit tonë, Republika e Maqedonisë dhe të gjitha partive parlamentare janë anëtarësimi i plotë i Republikës së Maqedonisë në NATO dhe BE. Kompromis për qëllimet strategjike nuk ka, amnesti direkte ose indirekte nuk ka. Do t’u japim shancë dialogut dhe bisedimeve, derisa të jetë e mundur. Kështu që ka çështje që lehtë dakordohen, por ka çështje që nuk daordohen lehtë, por besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se procesi është në ditë të numëruara”.

Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE: “Për disa tema kemi përafrim qëndrimesh, për disa nuk kemi. U dakorduam të dielën në mbrëmje ose të hënën në mëngjes të taohemi në këtë format, të shohim se si do të zhvillohen punët dhe më pas të diskutojmë për detajet. E shfrytëzoj këtë rast gjithashtu të tregoj përshtypjen time që nuk mbështetet në ndjenja, por përcaktime të VMRO-DPMNE dhe ato janë vlerat dhe principet e vërteta evropiane dhe jo vetëm angazhime deklarative. Nëse vërtetë synojmë vlerat dhe parimet evropiane, ashtu edhe duhet të sillemi dhe të njëjtat vlera jo vetëm ti kumtojmë deklarativisht, por edhe t’i zbatojmë në vepër”.

Kreu i VMRO-së, Hristijan Mickovski nuk dha qëndrim të prerë lidhur me propozimin e kryeministrit Zoran Zaev për formulimin e pyetjes së referendumit. Ai vetëm tha shkurt se ende nuk kanë arritur bisedimet tek ajo pikë dhe pasi të hapet si temë do të shpalosë edhe qëndrimet e partisë së tij. Nga ana tjetër, kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe kreu i Lëvizjes Besa që ngeli në opozitë, Bilall Kasami, thanë se ky është një moment i rëndësishëm për shtetin dhe qytetarët që nuk duhet lejuar të dështojë.

Ali Ahmeti, BDI: “Mbetet akoma në ditët në vijim sepse të gjitha opsionet nuk janë të shterura dhe pres që guximshëm të veprojnë të gjithë dhe të mos e humbim këtë shans historik”.

Bilall Kasami, Lëvizjes Besa: “Përshëndesim iniciativën e kryeministrit për takime të tilla intenzive dhe Lëvizja BESA do të marrë pjesë aktive në gjithë këtë proces që Maqedonia këtë rrugëtim të integrimit euroatlantik ta përfundojë me sukses”.

Takimi i djeshëm erdhi me kërkesë të liderit të opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski, i cili braktisi takimin e mbrëmshëm në të cilin morën pjesë kryetarë të më shumë partive parlamentare që kanë më shumë se një deputet. Mickovski tha se liderët e partive më të vogla janë anashkaluar, andaj kërkoi që takimi i sotëm të thiret me vetëm katër persona. Zaev mbrëmë njoftoi se partitë e tjera pjesmarëse i kanë dhënë mbështetje referendumit për marrëveshjen me Greqinë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu