Tregtarët nuk pajtohen me deputetët që ligji kontestues për tregjet e gjelbra vetëm të shtyhet, por kërkojnë ai tërësisht të anulohet dhe të përgatitet ligj i ri. Qiraxhinjtë e tezgave filluan të grumbullojnë firma dhe përmes peticionit do të përpiqen t’i realizojnë të drejtat e tyre. Mirë është që nuk ka ndarje tek tregtarët, thotë për Alsat M, Maja Stojanovska, përfaqësuese e tregtarëve. Nëse deputetët kanë qëllime të sinqerta të na ndihmojnë, atëherë le të votojnë që ligji të anulohet, thotë Stojanovska.
Nuk kemi nevojë për mbështetje vetëm me fjalë. Deri tani kemi pasur shumë situata të tilla dhe prandaj nuk besojmë më tepër. Kërkojmë nga të gjithë politikanët në përgjithësi, të bashkohen dhe të kenë mirëkuptim për kërkesat tona. T’i vizitojnë tregjet, të shohin se si jetojnë njerëzit, të bisedojnë me ta dhe të japin mbështetjen e tyre”- tha Maja Stojanovska, përfaqësuese e tregtarëve.
Tregtarët e tregut të Gjelbër në Shkup dërguan apel deri tek të gjithë kolegët e tyre në mbarë vendin, ta ndjekin shembullin e tyre dhe të grumbullojnë nënshkrime kundër paralajmërimit për shtyrje njëvjeçare të ligjit dhe të kërkojnë anulimin e plotë të tij.
Pos kundër licencave, tregtarët janë edhe kundër vendimit pensionistët të mos munden të shesin nëpër tezga. Me ligj ose pa te, edhe më tej mbeten problemet e vjetra të tregtarëve, konkurrenca jolojale, gjegjësisht tregjet e paligjshme si dhe kushtet shumë të vështira për punë.
Video:










