“Liverpool ishte i fortë”, Ancelotti: Vinicius gol, Courtois bëri pritje dhe ja fundi i historisë

Reali i Carlo Ancelottit tashmë është “mbret” i Europës, pasi mbrëm fitoi edhe trofeun e 14-të të Champions League si asnjë skuadër tjetër më parë.

“Los Blancos” mposhtën në finale Liverpool me shifrat 1-0 ku Vinicius Jr ishte ai që i dhuroi fitoren madrilenëve.

Pas kësaj fitoreje historike ka folur edhe trajneri Ancelotti për “Sky Sport Italia” i cili ishte shumë i lumtur për atë që skuadra e tij dha në fushë, teksa nuk nguroi të theksonte se e meritonin të konfirmoheshin më të mirën e Europës.

“Kampionë prej goditjes së Vinicius dhe pritjeve të Courtois? Jam i lumtur, nuk mendoj për këtë, thjesht fokusohem te fakti që arritëm në fund të një sezoni të vështirë falë zemrës së kësaj skuadre, përqendrimit dhe përvojës. Mendoj se kjo është arsyeja pse fituam. Vinicius shënoi një gol, Courtois bëri pritje, fundi i historisë”.

“Mendoj se Liverpool ishte i fortë, por nëse mban një mbrojtje lart dhe u lë hapësira të sulmojnë pas shpine, atëherë do të vuash. Kështu që mbrojtësit tanë bënë një punë të mirë për t’i mbyllur ato hapësira.

Reali jo favorit në çdo raund? Duke kthyer kokën prapa, njerëzit thoshin se PSG ishte i pafat, Chelsea i pafat, Manchester City po ashtu. Kjo ishte ndeshja e vetme kur njerëzit menduan se ne ishim pak a shumë në të njëjtin nivel. Liverpool është më i lehti për t’u dëshifruar, në krahasim me të tjerët”.

“Ata kanë një identitet shumë të qartë dhe ne mund të përgatiteshim ashtu siç bëmë. E dinim strategjinë që duhet të ndiqnim, të mos u linim hapësira pas shpine. Ndoshta futbolli ynë nuk ishte jashtëzakonisht i bukur në nivel estetik. Përveç cilësive, krijuam një miks mes lojtarëve të rinj dhe atyre me eksperiencë. Ky ishte një nga çelësat e suksesit tonë”.

“Humbja në El Clasico? Kur humbëm më 20 mars kundër Barcelonës, e qetësova presidentin Perez. I thashë mos u shqetëso, ne do të fitojmë Champions League dhe kampionatin. Thjesht mendova se ishte gjëja e duhur për t’u thënë”, tha duke qeshur trajneri italian, fitues i Champions League katër herë, dy herë me Milanin dhe po kaq herë me spanjollët.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu