E shtuna është një natë “e zjarrtë” për shkak se në televizonet kryesore në vend është hapur qartë “lufta” për audiencë.
Tv Klan me Ermal Mamaqin, Top Channel me Luana Vjollcën, e Vizion Plus me Agron Llakaj.
Po ziejnë portalet që kur Luana nxori grafikun e saj të audiencës, që sigurisht e rendiste programin e saj “Shiko kush luan” si më të ndjekurin e të shtunës.
Si t’i kishte hedhur dorezën për duel e jo një grafik, Ermali iu kundërpërgjigj Luanës me grafikun e tij, por që kësaj here e klasifikonte “Xing me Ermalin” si më të preferuarin, shkruan Tirana Post.
Në atë qetësinë e tij, Agron Llakaj përgjigjet i kontaktuar në telefon nga Tiranapost: “As nuk shoh e as nuk bëj grafikë.
Për mua ka rëndësi që “Al Pazar” të shihet dhe se si të gjej mënyra profesionale për ta bërë edhe më të ndjekur.
Jam i qetë dhe kam mënyrat e mia për të matur shikueshmërinë, nuk jam në garë me askënd veç vetes time dhe as nuk dua të komentoj vendin e dytë që më paskan rezervuar.
Siç thonë edhe vlonjatët, ne duam të gjithë vendin e parë në autobus. Nuk u shpik që nuk u shpik ai autobusi që do ecë anash”. /albeu










