Lulzim Basha tregon çfarë hapash do ndjekë opozita

Kreu demokrat Lulzim Basha ka hequr dorë nga beteja në rrugë me kryeministrin Edi Rama duke u fokusuar te alternativa e qeverisë. Përmes një postimi në rrjetet sociale Basha foli si kryeministri i vendit dhe jo si një drejtues i opozitës. Planin konkret, kreu demokrat e shpërndau nëpërmjet një video-mesazhi, ku deklaroi se nëpërmjet tij do bëjë zbulimin e parave të korrupsionit dhe do iu kthejë shqiptarëve paratë dhe pasuritë e vjedhura përmes kontratave publike.

Sipas planit të PD, kjo do të mundësohet nëpërmjet katër hapave, ku fillimisht do të bëhet miratimi i një pakete ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, ku prioritet i qeverisë së PD do të jetë hetimi i korrupsionit të niveleve të larta. “Hapi i parë, miratimi i një pakete ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar; Prioriteti i qeverisë së partisë Demokratike: Hetimi i korrupsionit të niveleve të larta”, thuhet në hapin e parë të planit të PD. Më pas, sipas Bashës do të bëhet hetimi dhe ndëshkimi i veprimtarisë kriminale të qeverisë për prokurimet dhe licencimet publike, duke shtuar se hetimi i PD do të jetë i përqendruar dhe tek paraja, për të zbuluar origjinën e tyre dhe nëse kanë ndikuar në buxhetin e shtetit.

“Hapi i dytë, Hetimi dhe ndëshkimi i veprimtarisë kriminale të qeverisë për prokurimet dhe licencimet publike. Prioriteti i qeverisë së Partisë Demokratike: Hetimi i mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike; Hetimi pa asnjë përjashtim i kontratave koncesionare. Çdo kontratë do të konsiderohet si vepër e mundshme kriminale. Hetimi i pasurive të çdokujt që është përfshirë në hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, nga juristi i thjeshtë e tek kryeministri. Hetimi ynë do të përqendrohet tek paraja: Do të ndjekë, gjurmojë dhe zbulojë origjinën e parave të përdorura; Do të zbulojë destinacionin e parave të marra nga buxheti”, thuhet në hapin e dytë të planit të PD

Bashkëpunimi me ekspertët e huaj

Më tej, Basha ka dalë edhe me dy plane të tjera. Sipas kryedemokratit fokusi i tyre do të jetë te rikuperimi i pasurive të vjedhura përmes kontratave dhe koncesioneve publike dhe hartimi i ligjeve për luftën kundër krimit dhe pastrimit të parave. “Hapi i tretë, Rikuperimi i pasurive të vjedhura për mes kontratave dhe koncesioneve publike. Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare apo janë investuar kudo nëpër botë do të zbulohen dhe do t’u kthehen shqiptarëve”, thuhet në hapin e tretë të planit të PD. Sipas Bashës, hapi i fundit do të jetë bashkëpunimi me ekspertë te huaj dhe me agjencitë kryesore në botë për luftën kundër krimit ndërkombëtar, EUROPOL, agjencitë britanike, holandeze, gjermane dhe amerikane.

“Hapi i katërt, Lufta kundër pastrimit të parave: Hartimi i ligjeve për luftën kundër krimit dhe pastrimit të parave. PD do të bashkëpunojë me ekspertë të huaj dhe me agjensitë kryesore në botë për luftën kundër krimit ndërkombëtar, Europoli, agjencitë britanike, holandeze, gjermane dhe amerikane; Miratimi i ligjit për ndalimin e legalizimit në ekonomitë e produkteve të krimit. Zbatimi i këtij ligji parandalon investimin në ekonomitë e parave të krimit dhe korrupsionit; Miratimi dhe zbatimi i paketës ligjore për deklarimin dhe kontrollin e aseteve të politikanëve dhe punonjësve publikë. Fundi i pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe krimit në nivelet e larta është i vetmi fillim i vërtetë i ndryshimit të Shqipërisë”, thuhet në hapin e katërt të planit të PD.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu