Macron: Rusia është një nga fuqitë e fundit koloniale perandorake

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë në Benin se Rusia është një nga fuqitë e fundit koloniale perandorake pas nisjes së një lufte në Ukrainë.

“Rusia ka nisur një ofensivë kundër Ukrainës, është një luftë për territorin që ne menduam se ishte zhdukur nga toka evropiane”, tha Macron në një konferencë për shtyp me homologun beninez, Patrice Talon në Cotonou.

“Rusia është një nga fuqitë e fundit koloniale perandorake, sepse vendosi të sulmojë një vend fqinj për të mbrojtur interesat e saj atje”, tha lideri francez.

Sipas presidentit francez, i cili është në një turne në Afrikë në të njëjtën kohë me kreun e diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, Rusia ka nisur një lloj të ri të luftës botërore hibride.

“Ka vendosur që informacioni, energjia dhe ushqimi janë instrumente ushtarake të vendosura në shërbim të luftës imperialiste kontinentale kundër Ukrainës”, tha Macron.

Sipas tij, rusët janë ata që krijojnë disbalanca përkundër të gjitha turneve diplomatike dhe dezinformatave që përhapin nëpër botë dhe Rusia është një nga vendet që përdor më së shumti instrumente propagandistike, veçanërisht përmes televizionit Russia Today dhe Sputnik.

Ai dënoi përsëri shantazhin e Moskës për ushqimin sepse bllokoi grurin në Ukrainë, si dhe energjinë për evropianët.

Emmanuel Macron tashmë kritikoi Moskën një ditë më parë, gjatë vizitës në Kamerun. Në të njëjtën kohë, Sergey Lavrov deklaroi në Ugandë se Rusia nuk është përgjegjëse për krizën e energjisë dhe ushqimit, duke dënuar fushatën që po zhvillohet rreth saj. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu