Macron thirrje komunitetit ndërkombëtar: Të mos tregojmë asnjë dobësi përballë Rusisë

Presidenti francez Emmanuel Macron i bëri sot thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos tregojë asnjë dobësi dhe asnjë frymë kompromisi ndaj Rusisë, ndërsa lufta në Ukrainë hyn nesër në muajin e saj të shtatë.

“Ne nuk mund të tregojmë asnjë dobësi, asnjë frymë kompromisi, sepse ka të bëjë me lirinë e të gjithëve ne dhe paqen në të gjitha anët e planetit”, deklaroi ai në një videomesazh në samitin “Platforma e Krimesë”, në të cilin marrin pjesë shtetet që mbështesin Ukrainën.

Emmanuel Macron ftoi edhe një herë Rusinë “të pushojë armiqësitë, të tërheqë trupat e saj nga i gjithë territori ukrainas dhe të zgjedhë diplomacinë për të rivendosur paqen”.

Evropianët janë të gatshëm të mbështesin betejën e Ukrainës përgjithmonë, tha presidenti francez duke iu drejtuar presidentit Volodymyr Zelensky.

“Franca dhe Bashkimi Evropian, së bashku me shumë aleatë dhe miq të Ukrainës, po bëjnë atë që është e nevojshme për të mbështetur luftën tuaj”, tha ai.

“Vendosmëria jonë nuk ka ndryshuar dhe ne jemi të gatshëm ta ruajmë këtë përpjekje përgjithmonë”, theksoi Emmanuel Macron.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu