Malësori Broja! Në fshatin e heroit kuqezi, ku porta e stërvitjes ka nisur të ndryshket

Në këtë fushë të vogël, në banesën e babait në Malësinë e Madhe, Armando Broja tregoi dashurinë për futbollin që në moshë të hershme. Kjo portë qëndron prej më shumë se 10 vitesh në këtë oborr, ku ylli i kombëtares shqiptare shënoi golat e parë në fëmijërinë e tij.

Edhe pse lindi në Angli, Armando thuajse çdo vit ka ardhur në fshatin e babait në Kamicë, duke takuar kushërinjtë e bashkëfshatarët. Festim Broja dhe Sokol Broja janë dy kushërinj të tij dhe një bashkëfshatar Idriz Kurtulaj që tregojnë marrëdhëniet e mira me familjen e Armandos, heroi që i dha Shqipërisë fitoren me Hungarinë dhe se si për arsye ekonomike emigruan prej mëse 20 vitesh.

Festim Broja disa herë ka shkuar në Angli, duke u takuar me Armandon dhe familjen e tij, ndërsa kanë ndarë shumë momente së bashku. Pra, e kanë ruajtur afrimitetin mes kushërinjsh.

Festimi thotë se prej 10 vitesh talenti i kombëtares shqiptare stërvitet intesivisht në sportin e futbollit dhe rrëfen se si nëna e tij, Blerina, ka sakrifikuar, duke e shoqëruar kudo, në stërvitje dhe ndeshje, djalin e saj, Armandon.

Golin e shënuar ndaj Hungarisë dhe fitoren që Broja i dha kombëtares kuqezi e përjetuan me një emocion të madh. Ahmet Musiqaj, nip në fshatin e Kamicës, tregon një fakt interesant se si babai i Armandos, Xhevahir Broja, ka investuar para për të rikonstruktuar varrezat e gjithë fshatit Kamicë.

Në fshatin Kamicë, prej nga vjen sulmuesi kuqezi, Broja, krenohen me suksesin e Armandos. 20-vjeçari nuk ka nevojë për ftesë që të rikthehet në fshatin e tij, Kamicë, ashtu siç ka bërë gjithmonë në fëmijëri dhe gjatë adoleshencës. Të gjithë në fshat janë të sigurtë se nuk do ta harrojë fshatin e familjes së tij.

I gjithë fshati Kamicë, por edhe Malësia e Madhe do të jenë tifozë të përjetshëm të Armando Brojës, kudo që të jetë ai, ndërsa i urojnë sa më shumë suksese në karrierën që sapo ka nisur në nivelet e larta të futbollit. Për malësorët, Broja do jetë gjithmonë një hero!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu