Maqedonia e Veriut, nikoqire e Konferencës së NATO-s për Komunikuesit

Maqedonia e Veriut është nikoqire e Konferencës së NATO-s për Komunikuesit në të cilën marrin pjesë më shumë se 300 përfaqësues të vendeve anëtare dhe vendeve partnere të aleancës.

Në hapje të konferencës, e cila po mbahet në Sallën Kombëtare të Filarmonisë në Shkup, fjalime kishin kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska dhe Ndihmës Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s për Diplomaci Publike, Baiba Brazhe.

Gjithashtu, fjalime përmes video-konferencës kishin edhe Komandanti i Komandës së Operacioneve Aleate në Evropë, gjenerali Christopher Cavoli dhe komandanti i Komandës së Transformimit Aleat, gjenerali Philippe Lavigne.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut, si anëtare më e re e NATO-s, po kontribuon me përkushtim për sigurinë kolektive, duke përfshirë ndihmën dhe mbështetjen për Ukrainën.

Ai tha se me pushtimin ushtarak të Ukrainës nga Rusia dhe rritjen e madhe të dezinformatave rreth pushtimit, është demonstruar se komunikimet mund të kenë një ndikim serioz shkatërrues dhe ndaj një ndikimi të tillë duhet të veprohet.

“Lufta kundër dezinformimit është një prioritet për të cilin po punohet si në rangun ndër-sektorial në Qeveri, por edhe në partneritet me mediat dhe qarqet civile. Vetëm një qasje e bashkuar sociale mund të jetë përgjigja sepse problemi me veprimet hibride është kompleks dhe mund të prekë tërë shoqërinë“, theksoi Kovaçevski.

Ai shtoi se informacioni i saktë dhe i verifikuar që është lehtësisht i disponueshëm është një mjet në luftën kundër dezinformatave.

Në fjalën e saj, Ndihmës Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s për Diplomaci Publike, Baiba Brazhe, përshëndeti përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për stabilitet në Ballkanin Perëndimor, si dhe falënderoi për organizimin e konferencës.

Ajo u tha pjesëmarrësve që gjatë konferencës të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të ndërtojnë marrëdhënie. Duke folur për punën e mëparshme gjatë këtij viti, Brazhe theksoi se kanë mbështetur Ukrainën edhe në fushën e komunikimit, duke shtuar se kjo mbështetje do të vazhdojë.

Ne të gjithë duhet të kuptojmë se investimi i vazhdueshëm në ndërtimin e aftësive të forta të komunikimit strategjik është thelbësor. Është e njëjta aftësi si aftësitë e tjera të mbrojtjes, por është më shumë se kaq“, tha Braze, duke theksuar rëndësinë e të pasurit ekipe të forta komunikimi.

Edhe folësit e tjerë përshëndetën konferencën dhe pjesëmarrësve u uruan punë të suksesshme.

Në konferencën në Shkup do të marrin pjesë rreth 300 persona. Në kuadër të konferencës do të organizohen disa panele kushtuar komunikimeve strategjike, të cilave do t’u paraprijnë disa grupe pune në këtë fushë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu