MPB-ja paralajmëron për grupin e rrezikshëm online “764”: Në shënjestër janë fëmijët dhe të miturit

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) u bën apel prindërve, kujdestarëve, mësimdhënësve dhe opinionit të gjerë që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj fenomenit të njohur si “764”, një komunitet i dhunshëm online, anëtarët e të cilit shenjtërojnë fëmijët, të miturit dhe personat e tjerë të cenueshëm, me qëllim manipulimin, frikësimin dhe detyrimin e tyre për të kryer veprime të rrezikshme dhe të dhunshme.

Për seriozitetin e këtij fenomeni paralajmërojnë edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë, përfshirë Byronë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI), e cila grupin “764” e ndërlidh me komunitete më të gjera ekstremiste të dhunshme nihiliste dhe grupe të ngjashme.

Apeli i MPB-së ka karakter parandalues dhe synon informimin me kohë të opinionit për mënyrën se si veprojnë këto grupe, rreziqet me të cilat përballen fëmijët dhe mënyrat për mbrojtjen e tyre.

Si funksionon grupi “764”?
Grupi “764” vepron përmes rrjeteve të ndryshme sociale, aplikacioneve të komunikimit dhe platformave të lojërave online. Për të kontaktuar viktimat e mundshme, anëtarët e tij përdorin platforma si Discord, Telegram, Roblox, Instagram, TikTok, Snapchat, Reddit, X (ish-Twitter), Minecraft dhe Fortnite.

Zakonisht, kontaktin me fëmijët dhe të rinjtë e vendosin duke u paraqitur si bashkëmoshatarë të tyre ose si persona të interesuar për miqësi apo lidhje emocionale.

Pasi fitojnë besimin e tyre, nisin manipulimet, kërcënimet dhe shantazhet, me qëllim që t’i detyrojnë të ndajnë fotografi dhe video, të vetëlëndohen, të ushtrojnë dhunë ndaj personave të tjerë ose kafshëve, madje edhe të ndërmarrin veprime që mund të kenë pasoja kërcënuese për jetën.

Materialet që sigurojnë më pas i përdorin si mjet për frikësim, shantazh dhe kontroll të mëtejshëm ndaj viktimave.

Cilat janë shenjat që duhet t’i vërejnë prindërit?
MPB-ja apelon që prindërit dhe kujdestarët t’u kushtojnë vëmendje të veçantë ndryshimeve të mundshme në sjelljen e fëmijëve, siç janë:

Ndryshime të papritura në sjellje, izolim, frikë, shqetësim ose nervozizëm;
Fshehtësi e shtuar gjatë përdorimit të telefonit celular ose kompjuterit;
Komunikim intensiv me persona të panjohur përmes rrjeteve sociale dhe platformave të lojërave online;
Pranimi i mesazheve kërcënuese, shantazheve ose kërkesave për dërgimin e fotografive dhe videove;
Lëndime të pashpjegueshme, prerje, gërvishtje ose shenja të tjera të mundshme të vetëlëndimit;
Shprehje të pashpresësisë ose biseda për vdekjen dhe vetëvrasjen.
Këto ndryshime nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se fëmija është viktimë e një grupi të tillë, por nëse vërehen, nuk duhet të injorohen. Nevojitet një qasje e kujdesshme, bisedë e hapur me fëmijën dhe, nëse ekziston dyshim për keqpërdorim, reagim në kohë.

Si t’i mbrojmë fëmijët?
Prindërit duhet të bisedojnë rregullisht me fëmijët për aktivitetet e tyre në internet, të tregojnë interes se me kë komunikojnë dhe çfarë përmbajtjesh ndjekin, si dhe t’i edukojnë për rreziqet e ndarjes së të dhënave personale, fjalëkalimeve, fotografive dhe videove me persona të panjohur.

Është veçanërisht e rëndësishme që fëmijët ta dinë se, nëse dikush i shantazhon, i frikëson ose i manipulon, duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë nga prindërit, kujdestarët, mësimdhënësit ose institucionet kompetente.

Ata nuk duhet të ndihen fajtorë dhe as të kenë frikë të raportojnë rastin, pavarësisht rrethanave.

Raportoni çdo dyshim apo rast!
Nëse keni njohuri, informacione ose dyshime për aktivitete që lidhen me grupin “764” apo grupe të tjera të ngjashme të dhunshme online, raportojini ato në Sektorin për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, në adresën elektronike:

[email protected]

Nëse dispononi me informacione që mund të ndihmojnë në hetimin e rastit, ruani mesazhet, emrat e përdoruesve, lidhjet dhe të dhënat e tjera relevante.

Mos u përballni drejtpërdrejt me personat që bëjnë kërcënime dhe mos ndërmerrni veprime që mund ta rrezikojnë më tej sigurinë e fëmijës.

Mbrojtja e fëmijëve nga abuzimi online është përgjegjësi e përbashkët. Identifikimi me kohë i rrezikut, bisedat e hapura me fëmijët dhe raportimi i aktiviteteve të dyshimta mund të parandalojnë pasoja serioze dhe të shpëtojnë jetë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu