Marokenët: Pse ne jemi kampionët

Kombëtarja marokene do të zbresë sërish në fushë, në skenën e fundit të përrallës së tyre në Kupën e Botës, e cila ishte një sukses i paparë.

Në stadiumin Khalifa International, me fillim nga ora 16:00, Maroku do të luajë ndeshjen për vendin e tretë kundër Kroacisë, e cila nuk arriti të përsërisë apo kapërcejë suksesin e vitit 2018 në Rusi, kur u mposht nga Franca në finalen e madhe.

Maroku arriti lartësi të paimagjinueshme, duke fituar zemrat e miliona fansave dhe ndjekësve në Instagram, më shpejt se ndonjë sensacion i ri i popit, në një vrapim historik për në gjysmëfinale.

Për një skuadër që nuk është mësuar me kaq shumë fitore, sidomos në një kupë bote, fitoret ndaj Belgjikës, Kanadasë, Spanjës dhe Portugalisë ishin historike.

“Ne qëndrojmë pas kombëtares”

Që kur mposhti Belgjikën, kombëtarja marokene shpresonte për një vend në fazën e 16-të.

Pritshmëritë u rritën kur mposhtën Spanjën dhe pas Portugalisë pati eufori dhe shpresa për të arritur në finale.

Mirëpo, në takimin me Francën në stadiumin Al Bayt, ëndrra nuk u realizua ashtu siç donin marokenët.

Pavarësisht humbjes së dhimbshme, e cila goditi euforinë e tifozëve marokenë, ata janë ende krenarë për arritjen e ekipit të tyre.

“Çfarëdo që të ndodhë tani, nuk do të na heqë atë që kemi arritur, kemi krijuar histori,” i tha Al Jazeera-s Omeri, një tifoz nga Casablanca që erdhi në Doha.

“Ka filluar me Kroacinë, do të përfundojë me Kroacinë. Shpresoj se do t’i mundim këtë herë, por çfarëdo që të ndodhë, ne jemi shumë krenarë për kombëtaren tonë. Ne qëndrojmë pas tyre dhe i mbështesim”, shtoi ai.

Supremacia e francezëve bëri që “Luanët nga Atlasi” të mos synonin më shumë se vendin e tretë në Kupën e Botës.

Por vendi i tretë do të ishte diçka që në fillim të turneut dukej e paimagjinueshme për skuadrën e renditur e 22-të nga listën FIFA-s.

“E vetmja gjë e rëndësishme është fitorja. Nuk dolëm në finale, por nuk duhet të dorëzohemi”, thotë Amine nga Maroku.

“Performanca e Marokut ndryshoi mendimin e të gjithëve. Ne kemi një mentalitet fitues tani dhe është ledhatuese ta ndjesh këtë. Një fitore të shtunën do të ishte e rëndësishme”.

“Rezultat i përpjekjes dhe besimit, jo fat”

Për Imanen, një marokene që jeton në Paris, triumfi i së shtunës do të kishte shumë kuptime.

“Mund të mos duket aq e rëndësishme, por fitimi i vendit të tretë do të ishte shumë i rëndësishëm për ne. Do të tregonte se seria e fitoreve të Marokut në Kupën e Botës, e cila u bë historike, nuk ishte thjesht fat, por rezultat i përpjekjeve të lojtarëve dhe besimit të tifozëve”, tha ajo.

Fatima, një nxitëse e tifozëve të Marokut, ka theksuar pas humbjes ndaj Francës se “ne jemi ende krenarë për kombëtaren”.

“Futbolli maroken ka ndryshuar tërësisht. Kjo nuk është aspak një humbje. Ne jemi kampionët.”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu