Marrëveshja mes Kurtit dhe Mustafës pritet të arrihet gjatë javës, a do të dorrëzohet Kurti për postin e presidentit

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, me gjasë do të arrijnë marrëveshjen për bashkëqeverisje brenda dy- tri ditëve në vijim. Gazeta Blic nga burime brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë vesh se kjo parti pritet të ”reflektoj”.

Sipas këtij burimi, nëse LDK nuk tërhiqet, atëherë VV mund të dorëzohet për postin e presidentit.

”Lëvizja Vetëvendosje pritet që nesër ose pasnesër të pranoj kushtet e LDK-së, përfshirë dakordimin për postin e presidentit. Ndoshta në marrëveshje shprehimisht nuk do të përmendet emri i Isa Mustafës për president, por do të potencohet dakordimi për postin e presidentit, që VV ta mbështet kandidatin e LDK-së për president”, tha ky burim i Gazetës Blic.

E, në kompensim të kësaj LDK të marrë një ministri më pak, pra VV t’i ketë 6 ministri e LDK vetëm 4. Në anën tjetër, presioni ndërkombëtar ndaj këtyre dy partive vazhdon të rritet.

Edhe nga LDK edhe nga Vetëvendosje, kanë konfirmuar për Gazeta Blic në kushte anonimiteti, se ndërkombëtrët, sidomos gjermanët u kanë dhënë ultimatum dy partive, që sa më parë ta formojnë qeverinë.

”Ditëve të fundit është shtuar presioni ndërkombëtar ndaj LDK-së e VV-së, për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje”, tha ky burim.

Ndërkohë, takimi i sotëm ndërmjet Albin Kurtit e Isa Mustafës ka rezultuar i pasuksesshëm.

Nga ajo që u tha publikisht pas takimit, dy liderët janë pajtuar që të intensifikohen këto takime, për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa, me të përfunduar takimi, bëri të ditur se të dy lideret janë pajtuar që të takohen sërish deri në arritjen e një marrëveshjes.

“Takimi i nisur nga ora 17:00 ka përfunduar para pak çastesh, e gjithë ajo për çfarë janë marrë vesh është për të intensifikuar takimet deri në arritjen e marrëveshjes”, tha Mustfa, para mediave.

Kurse, publikisht vazhdon përplasja e zyrtarëve të dy partive.

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu konfirmon se brenda kësaj jave do të takohen lideri i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa me qëllim të finalizimit të marrëveshjes për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Por nëse LDK vazhdon të insistojë për presidentin atëherë alternativa e vetme sipas Haxhiut është që vendi të shkojë në zgjedhje.

Madje Haxhiu këtë kërkesë të LDK-së e ka quajtur të pakuptimtë.

Sipas saj nuk ka pasur veprime të ngutura për krijim të koalicionit qeverisës pasi ende edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka thirrur seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Haxhiu në një intervistë për KosovaPress është shprehur optimiste për koalicionin mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së , pasi sipas saj çështja e presidentit është ajo që i ka dalluar këto dy subjekte pasi që në të gjitha pikat tjera ata janë dakorduar.

Lidhur me atë se koalicionin ndërmjet VV-së dhe LDK-së po e lë pezull edhe ndarja e disa ministrive, Haxhiu tha se ajo nuk qëndron pasi sipas saj të gjithë ministrat pavarësisht cilit subjekt do i takojnë ata do jenë llogaridhënës tek kryeministri në ardhje, Albin Kurti.

Në anën tjetër, ndaj këtyre deklaratave ka reaguar ashpër Besa Gaxherri e LDK-së.

Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës është e bindur që së shpejti do të ketë marrëveshje me Vetëvendosjen, për formimin e Qeverisë së re.

Ajo në RTK ka thënë se janë të gatshëm edhe për seancën konstituive, të cilën sot e caktoi presidenti Hashim Thaçi për 24 dhjetor.

’Unë jam e bindur që do të ketë marrëveshje së shpejti dhe në seancë do të jemi më se të përgatitur që Kosovës t’ia japim Qeverinë që e meriton’’, ka thënë ajo.

‘’Roli im është shumë aktiv. Unë nuk do të merrem me çështje të tilla sepse ka punë të mëdha që na presin përpara dhe nuk do të merrem me paragjykimet e askujt por të vazhdojë punën time intensive. Përderisa ka vullnet të madh, s’shoh gjasa që të dështojë marrëveshja. Cdo pengesë mund dhe duhet të tejkalohet’’


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu