Mbyllen me sukses punimet e konferencës së tretë ndërkombëtare të shkencave të mjekësisë të UT-së

Profesorë, mjekë, kirurgë, ortopedë, internistë, stomatologë, kardiologë dhe specialistë të ndryshëm të shkencave të mjekësisë nga vendi, rajoni dhe Evropa i shpalosën idetë dhe shkëmbyen mendimet e tyre në lidhje me tematika të ndryshme, që kanë të bëjnë me mjekësinë e përgjithshme.

Konferenca ishte e fokusuar kryesisht mbi zhvillimet dhe prurjet e reja në mjekësinë e përgjithshme, ndërsa thelbi kryesor i kongresit ishin arritjet më të fundit në lëmin e traumatologjisë.

Këto ngjarje të organizuara bashkërisht, përveç sesioneve shkencore në të cilat kishte përplasje mendimesh mes profesionistësh e ekspertësh, u karakterizuan edhe me aktivitete të tjera, të cilat ishin në favor të të gjithë pjesëmarrësve, pasi që u hodhën shumë ide për një bashkëpunim më të gjerë në të ardhmen.

Rektorë të disa universiteteve shqiptare, si Prof. Dr. Vullnet Ameti – rektor i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Arben Gjata – rektor i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, Prof. Dr. Skënder Topi – rektor i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhovani” dhe përfaqësues nga universitete tjera ranë dakord për një bashkëpunim më të zgjeruar në të ardhmen mes universiteteve shqiptare me qëllim bashkërendimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe përmes kësaj të arrihen qëllimet si dhe të përmbushen objektivat e universiteteve, që si mision kanë dijen dhe kërkimin shkencor. Si rezultat i kësaj, me iniciativë të Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, u bë edhe themelimi i Shoqatës Mbarëshiqptare Morfologjike të Anatomëve. Themelimin e kësaj shoqate e përshëndetën edhe dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë së Universitetit të Tetovës -Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha, kryetari i Shoqatës së Traumatologjisë dhe Kirurgjisë Emergjente Tiranë – Prof. Dr. Agron Dogjani, drejtuesi i departamentit të Anatomisë në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë – Prof. Dr. Xheladin Ceka dhe shumë personalitete të tjera.

Dekani, Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha, theksoi se ky aktivitet shkencor është motivues për zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen mes universiteteve nga rajoni, Evropa dhe bota. “Ishte kënaqësi për ne si Fakultet i Shkencave të Mjekësisë së Universitetit të Tetovës që të bashkonim në një ngjarje të tillë shkencore universitetet, jo vetëm shqiptare, por edhe ato ballkanike dhe evropiane duke ftuar një numër të madh personalitetesh eminente nga shkencat e mjekësisë. Kjo është një arritje mjaft e madhe për Universitetin e Tetovës, por është edhe një mesazh për të gjithë shoqërinë, se çelësi i suksesit është bashkëpunimi. Vetëm duke bashkëpunuar do të hapim dyert e mirëqenies dhe progresit” – tha Prof. Dr. Kastriot Haxhirexha.

Kryetari i Shoqatës së Traumatologjisë dhe Kirurgjisë Emergjente, Prof. Dr. Agron Dogjani, shprehu gatishmërinë e shoqatës dhe ekipit që ai drejton për të vijuar bashkëpunimin. “Ishte kënaqësi të jemi pjesë e një eventi kaq të rëndësishëm, që u organizua bashkërisht nga Universiteti i Tetovës, pra Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë dhe Shoqata e Truamatologjisë dhe Kirurgjisë Emergjente. Më erdhi mirë që në kuadër të këtij evenimenti u zhvilluan edhe shumë ngjarje të tjera. Po ashtu dua të përshëndes edhe krijimin e Shoqatës Mbarëshqiptare Morfologjike të Anatomëve, shoqatë e cila do jetë një ndihmesë e madhe për të gjithë mjekët, kirurgët, morfologët dhe specialistët e fushave të ndryshme të mjekësisë. Ishte kënaqësi që edhe unë si drejtues i Shoqatës së Traumatologjisë dhe Kirurgjisë Emergjente isha pjesë e themelimit të kësaj shoqate dhe do të jemi gjithmonë në mbështetje të kësaj shoqate” – shtoi më tej Prof. Dr. Agron Dogjani.

Drejtuesi i departamentit të Anatomisë në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, Prof. Dr. Xheladin Ceka, vlerësoi se ishte mundësi e mirë pjesëmarrja në Konferencën Shkencore të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë së Universitetit të Tetovës dhe Kongresin II të Shoqatës së Traumatologjisë dhe Kirurgjisë Emergjente mes shumë studiuesish shqiptarë dhe jo vetëm. “Ishte ndjenjë e bukur të jesh në mesin e shumë studiuesve shqiptarë dhe atyre shumë personaliteteve të mjekësisë nga Spanja, Italia, Turqia, Kroacia, Bosnja Hercegovina e kështu me radhë. Përveç kësaj ngjarjeje shkencore më bëri krenar edhe ideja për themelimin e një shoqate mbarëshqiptare të morfologëve shqiptarë, e cila tani më u bë edhe realitet. Ne si studiues të kësaj fushe kemi pasur nevojë për një shoqatë të tillë mbarëshqiptare dhe për këtë u jemi mirënjohës universiteteve tona, e në veçanti Universitetit të Tetovës dhe Rektorit Prof. Dr. Vullnet Ameti për mbështetjen që i dha themelimit të kësaj shoqate. Deri më tani në Tiranë ka një shoqatë të morfologjisë klinike shqiptare, por funksionon vetëm atje. Ajo nuk është mbarëshqiptare por kjo që u themelua së fundmi do të tubojë në gjirin e saj të gjithë studiuesit nga trevat tona” – potencoi Prof. Dr. Xheladin Ceka.

Konferenca Shkencore e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë dhe Kongresi II i Traumatologjisë dhe Kirurgjisë Emergjente, në përputhje me agjendën dhe programin e tyre të punimeve, përveç prezantimeve nga specialistë dhe ekspertë të ndryshëm të fushave të mjekësisë, trajtim të veçantë u kushtuan edhe studentëve të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, të cilët para profesorëve eminentë prezantuan punimet e tyre shkencore për. Ndërsa studentët e stomatologjisë zhvilluan punëtori (workshop) me specialistë të stomatologjisë. Specialistët e kirurgjisë orale, në mesin e të cilëve edhe Dr. Spec. Danço Bizevski, vlerësuan lart programin studimor të Stomatologjisë, pasi që aftësitë e studentëve për të realizuar implantin e dhëmbit janë një dëshmi se ky fakultet përgatit kuadro profesionistësh në fushën e stomatologjisë.

Vlerësime për organizimin e Konferencës së Tretë të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të UT-së dhanë personalitete të ndryshme të mjekësisë. Ish-rektori i Universiteti të Tetovës, Prof. Dr. Sadi Bexheti vuri në dukje se kjo ngjarje shkencore i ngre edhe më shumë vlerat dhe cilësitë, jo vetëm të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, por edhe të Universitetit të Tetovës në përgjithësi. “Kjo ngjarje shkencore bëri që ne studiuesit e këtyre fushave të prezantojmë njohuritë tona rreth tematikave të ndryshme që kanë të bëjnë me mjekësinë. Sigurisht që debati nuk mungoi. Kishte divergjenca mes studiuesish, diskutime të shumta, vërejtje e kështu me radhë. Po ashtu në kuadër të këtij aktiviteti ne e themeluam edhe Shoqatën Mbarëshqiptare Morfologjike të Anatomëve. Kjo shoqatë, pa hatër mbetje, do të jetë pjesë e Universitetit të Tetovës, për arsye se institucioni ynë ka nevojë. Me bashkëpunëtorët nga të gjitha trevat shqiptare do t’i realizojmë qëllimet tona si shoqatë duke realizuar misionin tonë si studiues shkencorë” – deklaroi Prof. Dr. Sadi Bexheti.

Për drejtorin e Klinikës së Traumatologjisë në Shkup, Dr. Ilir Hasani produktiviteti i kësaj ngjarjeje shkencore ka qenë mjaft i madh parë nga të gjitha këndvështrimet. “Ishte një eveniment mjaft i madh. Shpresojmë që evenimente të këtilla ndërkombëtare do të organizohen edhe më shpesh.

Produktiviteti ka qenë në nivel mjaft të lartë në të gjitha sesionet, në të cilat unë kam qenë prezent dhe i kam ndjekur. Kanë qenë mjaft efektive diskutimet e nivelit më të lartë. Nga ajo që dëgjoja gjatë prezantimeve dhe diskutimeve më dukej se nuk jam në një konferencë që realizohet në Ballkan. Në çdo seancë të traumatologjisë, por edhe të ortopedisë, ka pasur nga një të ftuar ndërkombëtar dhe kjo tregon se vërtet jemi në rrugë të duhur edhe pse jemi pas në krahasim me botën moderne, por përsëri vlerësoj se jemi në rrugë të duhur. Kjo ngjarje e përbashkët ka bërë që edhe më shumë të rritet produktiviteti për shkak se në çdo vend, ku sinkronizohen forcat, bëhet fuqi dhe ka progres e jo regres. Kjo, përveç produktivitetit, i motivon edhe studentët dhe specializantët e rinj, të cilët morën pjesë në numër shumë të madh” – theksoi drejtori i Klinikës së Traumatologjisë në Shkup, Dr. Ilir Hasani.

Ndërsa kryetari i nderit i Kongresit II të Shoqatës së Traumatologjisë dhe Kirurgjisë Emergjente, Prof. Dr. Rifat Lati, theks të veçantë në vlerësimin e tij i kushtoi bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit të lartë dhe peshës që ato kanë në shoqëri. “Dua të shpreh mirënjohjen time për organizatorët e këtij eventi. Ashtu siç e lluam kongresin e parë në Tiranë thamë se nga viti në vit këtë kongres do ta bëjmë edhe më të suksesshëm dhe më të rëndësishëm për nga cilësia. Këtë vit kongresi i zhvilloi punimet në Ohër në bashkëpunim me Universitetin e Tetovës dhe Shoqatën e Traumatologjisë dhe Kirurgjisë Emergjente, ndërsa vitin tjetër do të jemi në Prishtinë. Ishte një ngjarje e veçantë. Dua të shpreh mirënjohjen time dhe konsideratën për Universitetin e Tetovës, për gjithë atë organizim madhështor. Shpresoj që ky kongres të lëvizë rreth e përqark gjitha trojeve shqiptare.

Në vitin e ardhshëm në Prishtinë synojmë të mbajmë kongresin e parë të kolegjit të kirurgëve shqiptarë dhe të gjitha shoqatat e kirurgëve dhe mjekëve do të mund të jenë pjesë e këtij kolegji që në të ardhmen do të jetë një burim i dijes dhe një forcë jashtëzakonisht e madhe për prurjet e reja në mjekësinë e përgjithshme” – përfundoi vlerësimin e tij Prof. Dr. Rifat Lati.

Profesori universitar, Prof. Dr. Jordan Savevski, në opinionin e tij rreth organizimit të kësaj ngjarjeje shkencore bëri me dije se dalëngadalë po hapen mundësitë drejt avancimit të shkencës edhe për vendet ballkanike. “Unë isha pjesëmarrës si kirurg, stomatolog, ortoped, i cili punon këtë pjesë të kirurgjisë. Në përgjithësi, të gjitha sesionet në të cilat mora pjesë ishin mirë të organizuara. U zhvilluan shumë diskutime dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur që dyert tona të zymta dhe të rënda ballkanike t’i hapim me dije, pasi vetëm në këtë mënyrë shkohet përpara. Kështu që konferenca ishte e dobishme edhe për specializantët edhe për specialistët, por edhe për studentët dhe studiuesit e këtij lëmi. Në disa raste kishte divergjenca gjatë diskutimeve dhe e tëra kjo ishte për të mirën e pacientëve” – nënvizoi Prof. Dr. Jordan Savevski.

Në emër të Universitetit të Prishtinës, Konferencën e Tretë Shkencore dhe Kongresin II të Traumatologjisë i çmoi lart prodekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. Dr. Ibrahim Rudhani. “Universiteti i Prishtinës gjithmonë ka qenë në krah të Universitetit të Tetovës. Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë në Prishtinë është i gatshëm që të jetë pjesë e të gjitha organizimeve të përbashkëta shkencore. Fakulteti ynë është përkrah rritjes së Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë së Universitetit të Tetovës, edhe pse si fakultet është shumë i ri në moshë për është shumë i pjekur në shkencë. Dua t’ju përgëzoj në emrin tim dhe në emër të dekanit dhe stat menaxhues të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës për këtë ngjarje kaq të rëndësishme” – u shpreh Prof. Dr. Ibrahim Rudhani.

Vlerësime për konferencën dha edhe studentja e Stomatologjisë, Luljeta Civuli, e cila këtë ngjarje shkencore e konsideroi si një nga përvojat më të bukura që ka përjetuar gjatë gjithë rrugëtimit studimor. “Ajo që kam dëgjuar gjatë sesioneve në fushën e stomatologjisë ka qenë mjaft e vlefshme për profesionin tim dhe më ka motivuar që edhe më shumë të vazhdoj të mësoj, studioj, hulumtoj, por edhe të punoj në këtë fushë. Gjithashtu një vlerësim maksimal dhe falënderim tejet të madh për profesorët si dhe të gjithë ligjëruesit e tjerë, të cilët pa u lodhur në asnjë moment, na kanë ndihmuar dhe na kanë shpjeguar gjithçka rreth asaj që ne kishim nevojë” kështu u prononcua studentja e vitit të pestë të stomatologjisë, Luljeta Civuli.

Të gjithë studentët pjesëmarrës në këtë ngjarje shkencore u shprehën mjaft të kënaqur me ligjëruesit, ngase siç vlerësuan ata, për herë të parë kanë dëgjuar gjëra për të cilat deri më tani nuk kanë pasur njohuri dhe se kjo është një ndihmesë e madhe në rrugëtimin e tyre drejt profesionalizimit në fushën e mjekësisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu