Më dhimbset Kosova, kur e shoh në këtë situatë

Nga: Kim Mehmeti

Shpesh më pyesin pse e mbështes Lëvizjen Vetëvendosje?! Për gjithë ata që mendojnë se kam diçka personale kundër atyre që i kritikoj kam vetëm një kundërpyetje:

Si mund të jesh njerëzorë dhe për Kosovë e shqiptari, duke i mbështetur ata që dy dekada me radhë kishin pushtet e rrënuan shtet, ku bënë pjesë edhe Presidenti i sotëm proamerikan i Kosovës si dhe Kryetari i LDK-së, i cili rininë ia përkushtoi Jugosllavisë, e vitet e rënda të pleqërisë së tij i harxhon për ta mbrojtur vendin nga antiamerikanizmi i kryetarit të VV!?

Më thoni pra si mund të jesh për Kosovë e shqiptari, duke i përkrahur monstrat politike që edhe sot, kur bëhet luftë për të shpëtuar jetë njerëzish, ata merren me lojëra politike, e madje, ke përshtypjen se u vjen keq pse në Mitrovicë nuk ndodh ndonjë trazirë!?

Zotërinj nuk kam ndonjë përfitim personal të jem pro VV, por kam shumë arsye njerëzore të jem kundër atyre që dekada me radhë e zhvatën Kosovën, e që sot janë aq të pafytyrë dhe përbuzës ndaj inteligjencës sonë kolektive sa paturpshëm dalin dhe na thonë se janë duke e mbrojtur vendin nga ata që kurrë deri më tani nuk e kanë qeverisur atë!?

Andaj ju mund të mos e beson se përcaktimi im politik ka të bëjë vetëm me bindjet dhe ndjenjat e mia njerëzore, por mos mendoni se jam aq naiv sa mos ta di se sot, duhet të jesh kundër VV e përkrahë atyre që dekada me radhë e plaçkitën popullin, nëse donë që pjesë e asaj ‘plaçke’ të përfundojë edhe në xhepin tënd!

Andaj mos më pyetni pse ndjehem keq dhe pse më dhimbset Kosova kur e shoh se kryetari i LDK-së merret me legjitimitetin e atyre që i ‘rrezikuan marrëdhëniet me SHBA-të’ dhe se Presidenti i saj është aq shumë i brengosuri për Mitrovicën?!

Dhe vallë kjo nuk është mjaft që të besoj se tani për tani, Lëvizja Vetëvendosje përfaqëson shpresën rinore, shpresë të cilën e vranë ata që nuk i ngiu as tre për qindëshi i djersës së mërgatës, as tenderët që i zhvatën, ata që e çuan Kosovën ‘përpara’ duke ia përbuzur asaj mençurinë, ardhmërinë, ndershmërinë dhe atdhedashurinë!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu