Mediet greke, jehonë “incidenteve” në Shqipëri: Buldozerët e Ramës po shembin shtëpitë në Himarë

“Buldozerët e Ramës po shembin shtëpitë greke në Himarë” titullohet artikulli, që gazeta “Ethnos” e së dielës i kushton tensioneve mes Athinës dhe Tiranës.

Viti i incidenteve në marrëdhëniet greko-shqiptare e gjen kryeministrin Rama të lundrojë në detet e një revanshi antigrek, të cilat kanë arritur të “lagin” edhe Akropolin e Athinës, shkruan analisti i njohur Jorgos Sakafidha, që shton se 52-vjeçari socialist me një profil modern të dikurshëm, tashmë thotë çfarë i vjen për mbarë, mjafton të jetë anakronike, johistorike dhe me provokim nacionalist. Artikullshkruesi thekson se, Tirana zyrtare investon në krijimin e armiqve imagjinarë të jashtëm, për të zyrtarizuar disa prej pretendimeve të çamëve, në mënyrë që të heqë vëmendjen e popullit nga problemet e brendshme, si korrupsioni, trafiku i drogës, taksat e larta, mungesa e demokracisë etj.

Ndërsa theksohet se ka muaj që vazhdon ky aksion i planifikuar për të rrëmbyer pasuritë e minoritarëve në zonat bregdetare, me justifikimin e planeve të zhvillimit, publikohen edhe disa dëshmi të banorëve të Himarës, në një prej të cilave thuhet: “Qëllimi i tyre është të dëbojnë elementët grekë nga Himara. Por ne do t’i mbrojmë pasuritë tona. Le të na vrasin”. Me dy artikuj pasqyron zhvillimet me Tiranën edhe “Kathimerini” e së dielës. Në shkrimin e radhës, analisti i njohur Stavros Tzimas jep prapaskenën e të gjithë tensionit midis dy qeverive për Himarën, duke theksuar se mosdërgimi i buldozerëve, ndërsa afati i paralajmërimit ka mbaruar qysh të enjten, tregon një përpjekje për të ulur tonet, megjithëse kryebashkiaku Goro deklaron se ndërtesat e paligjshme do të shemben.

Ndërsa në artikullin e dytë theksohet se, Athina është tepër skeptike për nacionalizmin e vonuar mendësor shqiptar, që merr përmasa në një moment kur Tirana ka zgjedhur Greqinë si bosht të fushatës elektorale, ndërsa pret raportin e progresit të Komisionit Europian për fillimin e negociatave për anëtarësim. Këtu aludohet se, nëse gjykimi për Shqipërinë do të jetë pozitiv, Athina po analizon mundësinë e një vetoje, me justifikim shkeljen e të drejtave të minoritetit. “Puzzle”-in e tensioneve dhe deklaratave nga të dy palët e plotëson edhe përgjigjja që dha orët e fundit në Parlament ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos, pas pyetjes së 12 deputetëve konservatorë se, përse nuk po përparojnë ndërtimet për varrezat e ushtarëve grekë. Sipas tij, fajin për këtë e ka pala shqiptare, që vonon dhe pengon marrëveshjen e nënshkruar, ndërsa 15 ditë më parë është zhvilluar mbledhja e dytë e Komisionit të përbashkët të Specialistëve, që ka përcaktuar veprimet e nevojshme për të përshpejtuar fillimin e punës. Top Channel


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu