Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka udhëtuar në Kroaci me ftesë të homologut kroat, Mario Banozhiq, për të marrë pjesë në takimin dyditor të ministrave të mbrojtjes në Takimin vjetor të Kartës së Adriatikut – SHBA (A5), që këtë vit kryesohet nga Presidenca kroate.
Mehaj, para nisjes së takimit, ka thënë se kjo është mundësi e shkëlqyeshme për të kërkuar që Kosova të pranohet në Kartën e Adriatikut me status të barabartë.
“Pjesëmarrja ime në këtë takim është mundësi e shkëlqyeshme për të prezantuar fuqishëm nevojën për pranimin e Kosovës me statusin e barabartë në këtë organizatë. Kërkesa ime bazohet në faktin e natyrshëm, duke pasur parasysh se siguria dhe mbrojtja në mjedisin aktual të sigurisë rajonale nuk mund të arrihet e fragmentarizuar, por me qasje proaktive të të gjitha vendeve mbi konceptin e përgjithshëm të bashkëpunimit të ngushtë rajonal”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Mehaj tha se Kosova e ka dëshmuar se është e gatshme për të dhënë kontributin në kuadër të kësaj organizate.
“Ne e kemi dëshmuar dhe jemi duke e dëshmuar edhe konkretisht se jemi të gatshëm dhe të përgatitur për të dhënë kontributin efektiv në kuadër të kësaj organizate dhe bashkimit të afërm me partnerët e tjerë në NATO”, tha Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.









