Mërgimtarët po vijnë për të votuar në Maqedoni

Në Aeroportin e Shkupit dhe të Ohrit ditëve të fundit është shtuar fluksi i mërgimtarëve që vijnë për pushime në vendlindje. Por disa prej tyre nuk fshehin se arsye janë edhe zgjedhjet presidenciale. Nafi Alimi nga Amerika e largët ka ardhur në vendlindje për një pushim të shkurtër, por edhe për të shfrytëzuar të drejtën e tij si votues. Ai pranon hapur se ka ardhur për të votuar prof.dr. Blerim Rekën për president, si kandidat i Lëvizjes BESA dhe ASH.

“Një arsye është edhe kjo që të shfrytëzoj të drejtën e votimit bashkë me familjen time. Është një nder dhe obligim kombëtar që të votojmë prof.dr. Blerim Rekën, sepse ai është një figurë që na përfaqëson ne me dinjitet dhe vlera të mëdha si intelektual”, thotë Nafiu nga Kërçova.

Sipas tij, edhe mërgimtarë të tjerë që kanë të drejtën e votimit duhet të vijnë në vendlindje dhe të japin votën e tyre, sepse ka rëndësinë e saj.
Përveç kërçovarëve, edhe shumë dibranë, struganë e presparë nga Amerika kanë mbërritur në aeroportin e Shkupit, duke mos fshehur faktin se kanë ardhur edhe për të votuar.

“Diaspora jonë është një themel i kombit, sepse ajo gjithmonë ka dhënë kontributin e saj. Ja edhe tani po vijmë për të kryer misionin tonë në këto zgjedhje, sepse nuk mund të rrijmë rehat”, thotë Agroni që ka mbërritur nga Nju Jorku.
Alisetar Ramadani, sekretar i përgjithshëm i LDSHM-së SHBA/Evropë” që jeton në Zvicër bën thirrje që mërgata sa më masovikisht të votojë në zgjedhjet e së dielës.

“Si shqiptarë, edhe pse jemi të vetëdijshëm se ky sistem zgjedhor është kryekëput në dëm tonin, ne edhe një herë më tepër do t’i tregojmë bashkësisë ndërkombëtare se jemi popull që i respekton konventat ndërkombëtare, por nga një herë kur zullumi trashet, mund të bëhet shumë vonë! Nuk do të lejojmë deri në pakufi të mbretëron ky avaz në tokat tona autoktone, sidomos këtë duhet ta ketë parasysh Evropa. Prandaj, i ftojmë mërgimtarët, të cilët kanë mundësi të shkojnë në vendlindje, që të shkojnë dhe të votojnë z.Blerim Rekën”, theksoi për “Shtegu”, aktivisti i mërgatës, Alisetar Ramadani.

Hadi Osmani, një anëtar i LSDM që jeton edhe në Zvicër thotë se ka ardhur para fushatës dhe se sipas tij ka edhe mërgimtarë të shumtë që vijnë për Stevo Pendarovskin.

Mirëpo ka edhe nga ata që nuk duan të flasin se për kë do të japin votën e tyre, por edhe për mërgimtarë që janë të dëshpëruar nga politika. “Nuk votoj fare, përse të votojë, kur s’ja kam parë hajrin”, thotë një mërgimtar, që nga Gjermania kishte ardhur për pushime në vendlindje. (INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu