Shtetet e Bashkuara kanë miratuar shitjen e raketave kruiz Tomahawk Gjermanisë. Lajmi u bë i ditur nga kancelari gjerman, Friedrich Merz.
“Gjatë samitit të NATO-s në Ankara, ramë dakord me qeverinë amerikane që raketat amerikane Tomahawk do të blihen nga ne dhe do të stacionohen në Gjermani. Kjo lëvizje do të eliminojë një boshllëk strategjik në mbrojtjen tonë, ndërsa në të njëjtën kohë jemi duke punuar në zhvillimin e sistemeve tona evropiane dhe stacionimin e tyre në Evropë”, u shpreh Merz, duke folur para deputetëve të vendit të tij.
Në muajin prill të këtij viti, mes tij dhe presidentit amerikan Donald Trump pati një përplasje për luftën e SHBA-së ndaj Republikës Islamike, pasi Merz u shpreh se kjo e fundit po poshtëronte Uashingtonin në tryezën e bisedimeve, çka nxiti reagime të ashpra nga Uashingtoni, përfshi komentet e presidentit Trump se Merz po bënte një punë të tmerrshme si kancelar.
Në muajin maj, Trump njoftoi se do të reduktonte praninë ushtarake amerikane në Gjermani, çka u pa si anulim i planit të administratës së ish-presidentit Joe Biden për stacionimin e një batalioni me raketa Tomahawk në vendin evropian. Po të njëjtin muaj, Merz la të kuptohej se dislokimi i këtyre raketave po anulohej.
Raketat Tomahawk përdoren kryesisht nga nëndetëset dhe anijet luftarake dhe mund të përshkojnë një distancë prej më shumë se 1.600 kilometrash.








