Messi festoi me kupë të rreme

Pa e ditur kapiteni i Argjentinës dhe shokët e ekipit ngritën një trofe fals pas fitimit të finales në Doha

Në fotot ikonike të Lionel Mesit duke ngritur Kupën e Botës është një trofe i rremë. Si kapiten i Argjentinës, 35-vjeçari mbajti lart trofeun e lakmuar pas fitores emocionuese të skuadrës së tij në finalen e Dohas kundër Francës me penallti.

Por vetëm pak minuta më vonë kupa e vërtetë u hoq nga fusha nga zyrtarët e FIFA-s, sipas rregullores, por kjo gjë nuk dihej nga një pjesë e mirë e futbollistëve.

Kur bardhekaltrit po festonin me tifozët, një trofe i rremë zbriti nga shkallët e stadiumit. Lojtarët e morën duke menduar se ishte i vërtetë e nisën të bënine dhe foto me të.

Trofeu i krijuar ishte aq original, sa edhe Mesi nuk arriti ta dallonte ndryshimin. Madje ai publikoi edhe fotografi në Instagram, që morën rreth 75 milionë pëlqime, duke u bërë postimi numër 1 në rrjetin social për pëlqime.

Angel Di Maria në vazhdim arriti që ta dallonte ndryshimin, duke parë pjesën e poshtme të Kupës. Ai ia tregoi këtë gjë edhe Mesit, e të dy qeshën.

Sipas gazetës spanjolle “El Pais”, tifozët e Argjentinës, Manuel dhe Paula, e bënë kupën përpara turneut, me qëllimin e vetëm që të merrnin firmat në të nga ana e futbollistëve argjentinas.

Ata kontaktuan me mjeshtra të prodhimit të trofeve të tillë e kërkesa e tyre u plotësua. Trofeu u bë për gjashtë muaj dhe ka të njëjtën peshë me atë origjinal.

Kupa gjendet në shtëpinë e dy tifozëve argjentinas, që janë entuziastë për historinë e saj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu