Meta akuza drejt Ramës: Deklaroi që Kosova e Shqipëria të kishin një president, por mesazhi ishte për llogari të tjetër kujt

Në konventën e mbajtur sonte të LSI tashmë me emrin e ri Partia e Lirisë, ish-presidenti Ilir Meta ka akuzuar kryeministrin Edi Rama edhe për Kosovën. Ai përmendi deklaratën e Ramës që Shqipëria dhe Kosova të kenë një president, për të cilën Meta theksoi se ai dha mesazhin për llogari të tjetër kujt në mënyrë që të zhbëhen njohjet e Kosovës.

“Nëse ka një vend në botë që është i fundit që mund të vërë në diskutim sovranitetin e Kosovës, është Shqipëria, por ja që artisti ka marrë detyra të mëdha përsipër. Mos mendoni se është vërtetë kaq patriot ai saqë ditën që në Kuvendin e Kosovës, festohet 10 vjetori i pavarësisë, kryeministri i Shqipërisë deklaron se kishte përfytyrimin se në një kohë të afërme Shqipëria dhe Kosova do kishin një president të përbashkët. Artisti dha mesazhin për llogari të tjetër kujt, i cili gjoja u mërzit për këtë deklaratë nacionaliste, që pse duhet mbështetur Kosova në OKB pasi e paskan planin, e tha kryeministri i Shqipërisë, për një president të përbashkët, një shtet, dhe jo vetëm kaq por dhe të zhbëhen njohjet e tjera të Kosovës. Ju mendoni se u nxeh vërtetë me kryeministrin e Kosovës dhe e hodhi në gjyq? Jo, mori porosi që të bëj një lajm ndërkombëtar. Kaq mjafton për të kuptuar kush është standardi ynë. Pastaj u tërhoq, sepse tha se u nxitova, jo u tërhoq se në gjyq ishin dhe dëshmitarët dhe do dilte se ky miku bëj lojëra me harta të Kosovës. Mirë tregton pasuritë tonë, dhe do të tregtojë dhe hapësirat tona, por me Kosovës ça ka ky? Apo ju duket rastësi që presidenti i Serbisë na ndërhyri në fushatë elektorale në Shqipëri. Ç’punë ka ai kush do të fitojë në Shqipëri?”, deklaroi Meta.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu