Meta, një pozicionim fizik për mesazhin politik: Përmbytjet, ku është qeveria?

Presidenti Meta përcolli mesazhin e radhës në betejë politike me mazhorancën, duke marrë shkas nga një tjetër situatë e rënduar përmbytjesh si pasojë e shirave të orëve të fundit.

I pozicionuar fizikisht mes një terreni të shkretë të përmbytur, vetëm dhe pa njerëz në krah apo pas, Meta përcolli mesazhin që sipas tij, autoritetet (d.mth. qeveria) nuk duken gjëkundi.

“Dhjetëra shtëpi, biznese dhe sipërfaqe të konsiderueshme toke, pronë private e publike, nga Veriu në Jug, janë gdhirë nën ujë, por ndihma e strukturave shtetërore për banorët mungon”, shkruan kreu i shtetit në një mesazh në rrjete.

Ai më pas ofron “ndihmë këshillimore” për qeverinë se ç’duhet të bëjë në këtë situatë.

Në këtë gjendje të rënduar, nevojitet urgjentisht angazhimi i të gjitha strukturave qendrore e vendore për minimizimin e pasojave në prona dhe shmangien e çdo rreziku për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Strukturat operacionale të Mbrojtjes Civile, Grupet e Kërkim-Shpëtimit e Evakuimit dhe Shërbimet Zjarrfikëse duhet të jenë 24/24 orë në terren pranë qytetarëve në nevojë.

Ministria e Mbrojtjes dhe Rezervat e Shtetit, pa vonesë, duhet të përgatisin ndihmat ushqimore për familjet, që u janë përmbytur shtëpitë.

Ministria e Bujqësisë, menjëherë të dërgojë pranë banorëve në nevojë, bazën aq të nevojshme ushqimore dhe koncentratet për bagëtitë.

Ministrat përgjegjes për Mbrojtjen Civile të vendosin komunikimin konstant me strukturat vendore dhe publikun për parapërgatitje e reagim, për prioritetin absolut: sa më pak dëme në prona e bagëti dhe padiskutim mbrojtje të çdo jete njerëzore.

Të garantohet funksionimi me kapacitet të plotë i hidrovoreve dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar të monitorojë situatën në të gjitha akset, ku ka potencial rrezikshmërie për rrëshqitjen e tokës, me qëllim shmangien e aksidenteve, si dhe të marrë masa urgjente për hapjen e çdo segmenti të bllokuar nga dëbora.

Të raportohet periodikisht për situatën dhe të vlerësohen me shumë seriozitet paralajmërimet e Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, si i vetmi organ, që meriton vlerësime për përmbushjen me përgjegjësi të detyrës”, shkruan njeriu që ka vendosur të bëjë dhe kryeopozitarin nr.2 ndaj qeverisë në zgjedhjet e pritshme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu