Mexhiti: Deri në fundjavë pritet të kemi pasqyrë të qartë për rikonstruimin e Qeverisë

Screenshot

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se negociatat për rikonstruimin e Qeverisë janë në fazën përfundimtare dhe se deri në fundjavë pritet të ketë një pasqyrë të qartë për përbërjen e re qeveritare.

Duke folur në edicionin e lajmeve të TV Sitel, Mexhiti tha se bisedimet mes partnerëve të koalicionit po vazhdojnë dhe se ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar.

“Mendoj se ditët në vijim do të kemi zgjidhje përfundimtare, për shkak se negociatat po vazhdojnë të rrjedhin dhe nuk ka asgjë finale. Kemi zhvilluar disa takime deri më tani dhe po analizohet performanca e të gjithë ministrave dhe zëvendësministrave”, deklaroi Mexhiti.

Ai theksoi se në kuadër të negociatave po shqyrtohet realizimi i programit qeveritar, prioritetet e institucioneve dhe rezultatet e arritura deri më tani.

“Po bisedojmë për programën, kush ku gjendet, cilat janë prioritetet, çfarë është realizuar dhe çfarë jo. Pra, po hyjmë në fazën finale, ku deri në fundjavë do të kemi një pasqyrë të qartë brenda koalicionit dhe subjekteve politike”, tha Mexhiti.

Sipas tij, ditët në vijim do të jenë vendimtare për finalizimin e negociatave dhe përcaktimin e hapave të ardhshëm në procesin e rikonstruimit të Qeverisë.

Mexhiti: VLEN synon të marrë një të tretën e ekzekutivit

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në paraqitjen e tij në edicionin e lajmeve të TV Sitel, deklaroi se VLEN synon të sigurojë një të tretën e përfaqësimit në ekzekutivin qeveritar në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë.

Sipas Mexhitit, si përfaqësues i shqiptarëve, VLEN pretendon të ketë një të tretën e posteve ministrore, duke theksuar se koalicioni jo vetëm që do t’i ruajë pozicionet aktuale, por synon t’i forcojë ato.

“Ne si përfaqësues të shqiptarëve pretendojmë të kemi një të tretën e ekzekutivit, të ministrave. Atë që mund të them është se për nga numri do t’i mbajmë pozicionet, madje fakti që VLEN tashmë është një ka potencial më të madh, më shumë kuadro, më të përgatitur dhe jo vetëm që do t’i mbajmë, por do t’i forcojmë pozicionet tona në Qeveri”, deklaroi Mexhiti.

Ai vlerësoi se unifikimi i VLEN-it ka rritur kapacitetin politik dhe profesional të koalicionit, duke e bërë atë më të përgatitur për të marrë përgjegjësi më të mëdha në ekzekutiv.

Deklarata e Mexhitit vjen në kohën kur partnerët e koalicionit qeveritar po zhvillojnë negociata intensive për rikonstruimin e Qeverisë, proces i cili pritet të finalizohet në ditët në vijim.

Mexhiti: Ne nuk luajmë futboll nëpër zyra, ne zgjidhim probleme

Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i komunës së Çarit, Izet Mexhiti në bisedën për Televizionin Sitell, duke folur për investimet kapitale tha se po ndodhë një revolucion në gjitha komunat e vendit, përfshirë edhe ato shqiptare.

Sipas tij, për herë të parë kjo qeveri me kredinë hungareze, ka ndarë buxhetin në bazë të një kriteri, sipas numrit të banorëve- qeveria vendosi drejtë dhe paratë shkuan aty ku jetojnë njerëz, dhe jo ndarje si më parë.

“Është këtu Korridori 8 padyshim, pastaj Rruga Shkup- Bllacë ku është zgjedhur firma që të fillojmë punimet për 12 kilometrat, jo të luajmë futboll nëpër zyra dhe të fotografohemi për ato 2 kilometra me vite. Pres që në periudhën e ardhshme të fillojnë punimet për parkingun nëntokësor për 400 vetura në sheshin ‘Skënderbe’ që do të zgjidh problemin kryesor në Çarshinë e Vjetër, pastaj kampusi ‘Nënë Tereza’ një investim prej 40- 60 milinë euro etj”, ka thënë Mexhiti.

Me këtë sipas tij, po ndodhë një revolucion në të gjitha komunat dhe kjo qeveri siç shtoi ai, “po zgjidhë probleme që nuk janë zgjidhur me dekada siç është rasti me kërkesa elementare të qytetarëve”.

Mexhiti: BDI është kontradiktore, duhet të protestojë kundër vetvetes

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka reaguar ndaj thirrjeve të BDI për protesta të paralajmëruara për ditën e premte në Tetovë, duke i cilësuar qëndrimet e saj si kontradiktore. Sipas Mexhitit, BDI në të njëjtën kohë kundërshton protesta në rajon, por në vend kërkon arsye për të organizuar vetë protesta, gjë që sipas tij tregon mungesë konsistence politike.

Ai u ndal edhe te çështja e emërtimeve të rrugëve në Tetovë, duke theksuar se vendimi për 10 emra rrugësh është marrë para rreth 20 vitesh nga Këshilli Komunal i Tetovës, në kohën kur kryetar komune ishte përfaqësues i BDI-së, dhe sipas tij me procedurë të rregullt dhe me Badenter.

“Bëhet fjalë për 10 emra rrugësh, por BDI gjatë 20 viteve nuk arriti të sjellë një vendim qeveritar që t’i bëjë ato rrugë plotësisht legjitime. Prandaj ato emra nuk figurojnë as në sheshe, as në dokumente, as në kadastër, ka mbetur një zgjidhje gjysmake”, u shpreh Mexhiti. Ai kritikoi edhe rolin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se po merret me çështje të politikës ditore dhe se, sipas tij, anëtarët e saj janë zgjedhur nga BDI dhe LSDM.

Mexhiti theksoi se në komunat ku VLEN ka qeverisur, përfshirë Çairin dhe Shkupin, emërtimet e rrugëve janë bërë në mënyrë ligjore dhe nuk mund të kontestohen nga askush. “Në Çair dhe në Shkup kemi ndryshuar emra rrugësh në mënyrë ligjore dhe ato vendime nuk mund t’i kontestojë as Gjykata Kushtetuese e askush tjetër”, tha ai. Në fund, Mexhiti shtoi se në këtë situatë “BDI duhet të protestojë kundër vetvetes”, duke iu referuar, sipas tij, përgjegjësisë së kësaj partie për vendimet e mëhershme.

Mexhiti: Me afro 2/3 e shumicës parlamentare, nuk ka logjikë për zgjedhje të parakohshme

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka deklaruar se aktualisht nuk ekziston nevoja për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke theksuar se zgjerimi i shumicës qeveritare do të krijonte stabilitet më të madh dhe mundësi më të mira për realizimin e programit qeveritar. Në intervistën e tij në edicionin e lajmeve të TV Sitel, i pyetur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Mexhiti tha se përfshirja e Partisë Demokratike Turke në Qeveri do ta afronte shumicën parlamentare pranë dy të tretave të deputetëve në Kuvend.

“Në parim, me përfshirjen e Partisë Demokratike Turke në Qeveri po afrohemi në dy të tretat e numrit të deputetëve që përbëjnë shumicën. Nuk ka asnjë logjikë, sa i përket numrave dhe shumicës, që të kërkohet një fitore edhe më e madhe apo shumicë më e madhe, kur qëllimi është të realizohet programi qeveritar që kemi premtuar si partnerë të koalicionit. Këtu e kemi fokusin”, deklaroi Mexhiti. Megjithatë, ai theksoi se VLEN nuk i shmanget përballjes elektorale dhe se rezultatet e deritanishme tregojnë rritje të vazhdueshme të mbështetjes për koalicionin. “Ne nuk ikim nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nëse dikur kishim tre komuna, tash kemi dhjetë. Anketat tregojnë se VLEN, si një parti e vetme, është faktori i parë në bllokun politik shqiptar. Por, sërish them se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme”, u shpreh Mexhiti. Sipas tij, prioritet i shumicës qeveritare mbetet realizimi i projekteve dhe premtimeve programore, ndërsa stabiliteti politik është në funksion të përmbushjes së këtyre objektivave.

Mexhiti konfirmon mbështetjen për përfshirjen e Partisë Demokratike të Turqve në Qeveri

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka deklaruar se Partia Demokratike e Turqve duhet të bëhet pjesë e Qeverisë, duke theksuar se kjo do të ishte e rëndësishme si për përfaqësimin e komunitetit turk në vend, ashtu edhe për forcimin e marrëdhënieve me Turqinë, partnerin strategjik të Maqedonisë së Veriut. Në një intervistë për edicionin e lajmeve në TV Sitel, i pyetur për mundësinë e përfshirjes së Partisë Demokratike të Turqve në ekzekutiv, Mexhiti tha se kjo parti tashmë nuk i përket bllokut opozitar dhe meriton të jetë pjesë e qeverisjes. “Do të ishte mirë pasi që ata nuk janë më pjesë e bllokut opozitar dhe janë pjesë e rëndësishme e shtetit. Mendoj se duhet të jenë pjesë e Qeverisë”, deklaroi Mexhiti. Ai sqaroi se një nga arsyet kryesore për përfshirjen e kësaj partie në Qeveri është roli që mund të luajë në avancimin e bashkëpunimit me Turqinë dhe në ndërtimin e urave më të forta ndërmjet dy vendeve. “Po ashtu, duke shtuar faktin se partner strategjik e kemi Turqinë, na duhet një urë më e mirë ndërmjet komunitetit turk, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë”, tha Mexhiti. Sipas tij, përfshirja e Partisë Demokratike e Turqve në Qeveri do të kontribuonte në përfaqësim më të gjerë të komuniteteve, në stabilitetin e shumicës qeveritare dhe në forcimin e bashkëpunimit me një nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të vendit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu