Mexhiti tha se Taravari u vetëpërjashtua! LD, BESA dhe Alternativa do të shkojnë bashkë në zgjedhje lokale

“Mendoj se nuk ka praktikë në Maqedoni që të dilet me kandidat këtu në VLEN dhe diku të bashkëpunosh me BDI, diku të bashkëpunosh me VLEN-in, duku me VMRO-në, diku me LSDM-në, ndoshta edhe me Levicen, kjo është qesharake, jo serioze dhe këtu duhet të flet anëtarësia ASH-së”, deklaroi Izet Mexhiti.

Krerët e Koalicionit VLEN mbajtën mbledhje të jashtëzakonshme pasditen e së mërkurës. Ata nuk e ftuan kreun e ASH-së Taravarin. Ndërsa përfaqësuesi Vetëvendosjes Bekim Qoku mungoi, siç tha ai vet për shkaqe shëndetësore. Kryetari LD-së Izet Mexhiti, kreu Besës Bilall Kasami dhe kreu Alternativës Zeqirja Ibrahimi vendosën të garojnë me lista të përbashkëta si një subjekt i vetëm politik në zgjedhjet lokale të vjeshtës. Për Taravarin thanë se u vet përjashtua.

“Nuk ka asnjë koalicion në këto 30 vite që ka dal me lista të ndara gjatë zgjedhjeve lokale ose zgjedhje tjera se ajo përveç se e dobëson Koalicionin VLEN, përveç që fut përçarje në VLEN, në të njëjtën kohë nënkupton defaktorizim të votës shqiptare, përçarje të votës shqiptare që në vend se të jetë në dy taborë, ai fut edhe taborin e tretë që të ketë pasoja në disa komuna”, tha Izet Mexhiti.

I pyetur nga gazetarët se a do të kushtëzoj Mickoskin për qëndrim të ASH-së së Taravarit në partneritetin qeverisës, Mexhiti nuk dha një përgjigje konkrete, duke shtuar se do të diskutohet në vijim. Ndërkaq, mbrëmë Taravari pas mbajtjes së kuvendit qendror të ASH-së tha:

“Aty vendos kryeministri, ai që e formon e qeverinë është kryeministri, nëse ai e vendos nuk kemi asnjëfarë problemi, por në parim me Kryeministrin tash për tash i kemi raportet e shkëlqyeshme. Nuk planifikojmë të dalim sepse në qeveri ka më tepër parti, njëra nga këto është edhe ASH, kështu që nuk shoh arsye për të dal nga qeveria”, deklaroi Arben Taravari.

“Taravari më nuk di çfarë flet duke ndryshuar qëndrime çdo herë”, tha Mexhiti, duke iu bërë thirrje anëtarëve të ASH-së dhe funksionarëve të këtij fraksioni që të distancohen nga qëndrimi i Taravarit dhe mos të bëhen “gomë rezervë” e BDI-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu