Kushtetuesja: Kuvendi është konstituuar, formimi i Qeverisë s’është antikushtetues

Gjykata Kushtetuese ka vendosur se konstituimi i Kuvendit është bërë pas afatit kushtetues, por ka kërkuar që të vazhdohet me zgjedhjen e nënkryetarit të dytë dhe se si pasojë ka nisur rrjedhja e afatit për zgjedhjen e presidentit.

Kushtetuesja ka konstatuar se formimi i Qeverisë “Kurti 4” nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

Në vendimin e saj, Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas skadimit të afatit prej 30 ditësh. Megjithatë, sipas Gjykatës, kalimi i këtij afati ka pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, në rastin kur posti është vakant, si dhe për formimin e Qeverisë.

Gjykata ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Në të njëjtin vendim, Kushtetuesja ka vlerësuar se deputetët duhet, sa më parë, të zgjedhin edhe nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, që është Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

“Të konstatojë që vendimi i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Kushtetuesja ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme.

Vendimi është marrë pas dy kërkesave të PDK-së, përmes të cilave kjo parti kishte kontestuar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu