Mickoski: Maqedonia e Veriut ka karburantet më të lira në rajon, priten ulje të reja

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj politikave që synojnë uljen e ndikimit të çmimeve të derivateve të naftës dhe përmirësimin e standardit të qytetarëve.

Duke komentuar zhvillimet e fundit ushtarake në Gjirin Persik mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, si dhe mbylljen e përsëritur të Ngushticës së Hormuzit, Mickoski tha se këto ngjarje mund të ndikojnë në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe në çmimet e karburanteve.

Sipas tij, Qeveria i ka parashikuar këto skenarë dhe, në kuadër të masave për përballimin e krizës, ekzistojnë mundësitë që nga java e ardhshme të ketë sërish ulje të akcizave për benzinën pa plumb dhe dizelin.

“Gjendja e krizës zgjat deri më 20 korrik. Mendoj se tashmë janë plotësuar kushtet që nga e hëna të kemi sërish ulje të akcizave për benzinën pa plumb dhe për dizelin”, tha Mickoski.

Ai shtoi se fillimisht duhet të përfundojë procesi i mbylljes së tregjeve dhe të bëhet analiza e çmimeve për gjysmën e parë të periudhës 15-ditore.

Mickoski theksoi se politikat aktuale të Qeverisë kanë ndikuar që Maqedonia e Veriut të ketë, sipas tij, çmime më të ulëta të karburanteve krahasuar me disa vende të rajonit.

“Çmimi i karburanteve përcaktohet nga bursat ndërkombëtare. Nga i njëjti treg ku furnizohet Gjermania, furnizohemi edhe ne. Ne nuk kemi burim nafte në vend për t’i mbushur rezervuarët e automjeteve tona”, deklaroi kryeministri.

Ai gjithashtu krahasoi çmimet e karburanteve në Maqedoninë e Veriut me ato në vendet fqinje, duke theksuar se, sipas tij, në disa prej tyre çmimet janë dukshëm më të larta.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu