Micotakis: Pres që mandatari i qeverisë ta thotë emrin Maqedonia e Veriut

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka shprehur në mënyrë të prerë qëndrimin e tij rreth zbatimit të Marrëveshjes së Prespës nga ana e Maqedonisë së Veriut. Në një konferencë për shtyp të mbajtur në ishullin e Kretës, Mitsotakis theksoi rëndësinë e njohjes dhe pranimit publik të emrit zyrtar “Maqedonia e Veriut” nga kandidati për kryeministër i këtij shteti.

Ai paralajmëroi se do të ngrejë këtë çështje në Samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahet në Uashington në gjysmën e parë të korrikut. Kryeministri grek u shpreh se është jetike që të respektohet marrëveshja ndërkombëtare për të garantuar stabilitetin dhe përparimin në marrëdhëniet ndërshtetërore në rajon.

KYRIAKOS MITSOTAKIS, KRYEMINISTËR I GREQISË

“Pres që mandatari të thotë se emri i vendit të tij është Maqedonia e Veriut, erga omnes për përdorim të brendshëm dhe të jashtëm. Këtë çështje do ta ngrejë në Samitin e NATO-s më 9-11 korrik. Unë pres që logjika të mbizotërojë”.

Mitcotakis shtoi se, pavarësisht sfidave të VMRO-DPMNE –së në Maqedoninë e Veriut, që duket se kundërshton marrëveshjen, ai është i bindur se në fund do të mbizotërojë logjika dhe do të arrihet një konsensus. Ai theksoi se Greqia, së bashku me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, mbështet fuqimisht zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës. Sipas tij, një qasje konstruktive nga Maqedonia e Veriut do të ndihmojë në hapjen e mëtejme të rrugëve të integrimit evropian dhe do të forcojë stabilitetin e gjithë rajonit. Në përfundim të konferencës së gjatë 90-minutëshe, Mitsotakis përsëriti angazhimin e Greqisë për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai vuri në dukje se harmonizimi me standardet dhe vlerat evropiane është thelbësor, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për të gjithë rajonin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu