Miku i Schumacher jep detaje për shëndetin e tij: Ndoqëm bashkë garën e Formula 1

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, Jean Todt ka dhënë detaje të reja lidhur me gjendjen shëndetësore të Michael Schumacher, shtatë herë kampion bote në Formula 1.

Sipas Todt, Michael Schumacher po vazhdon rikuperimin nga aksidenti tragjik i vitit 2013, dhe është ende tejet i apasionuar pas Formula 1, pasi ndjek me vëmendje garat nga televizori.

“Ndoqëm një garë së bashku me Michael, në shtëpinë e tij në Zvicër. Shumi vazhdon betejën, të njëjtën gjë po bën edhe familja e tij”, tha Todt, i cili ka punuar përkrah Schumacher dhe është një prej miqve të afërt të familjes që viziton rregullisht ish-pilotin.

Schumacher u rrëzua më 29 dhjetor të vitit 2013, teksa bënte ski, së bashku me të birin e tij Mick, në Meribel të alpeve franceze. Gjatë rënies goditi kokën në një gur, në krahun e djathtë ku helmeta e tij ishte e hapur. Doktorët në Grenoble bënë maksimumin për të reduktuar hemorragjinë, por mpiksja e gjakut kishte kaluar thellë në tru.

Tashmë kanë kaluar 5 vite nga aksidenti i rëndë por ende nuk dihet asgjë mbi atë çfarë ndodh në rezidencën e Schumacher pranë liqenit të Gjenevës, aty ku ai është transferuar që nga shtatori i vitit 2014./Opinion.al


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu