Milaim Zeka thotë se deri tani një parti ka blerë 6000 vota me 220 mijë euro, ftohet në prokurori të dëshmojë

Milaim Zeka ka thënë mbrëmë në Pressing se një parti ka dhënë 220 mijë euro për të blerë 6 mijë vota në Drenicë e për këtë deklaratë, ai do të merret në pyetje nga Prokuroria.

Prokuroria e Shtetit do ta intervistojë kryetarin e Partisë Euroatlantike, Milaim Zekën, pas deklaratës së tij të mbrëmshme në Pressing, ku ka thënë se ka informacione që ka filluar blerja e votave në Drenicë dhe ka treguar si po bëhet kjo.

“Milaim Zeka, do të ftohet nesër për dëgjim në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, për deklaratat e bëra në emisionin “PRESSING”, ku deklaron se ka informata për blerje të votave në rajonin e Drenicës”, thuhen në një përgjigje të Prokurorisë së Shtetit për Express.

Ndërkaq, Zeka ka deklaruar se partitë e mëdha po japin miliona euro për fushatë dhe se ka filluar blerja e votave. Madje ka treguar një rast, ku sipas tij, një qytetar është kërcënuar se nëse nuk e fotografon votën, atëherë do të detyrohet të paguajë dyfish për të.

“Partitë e mëdha janë duke i dhënë milionat në fushatë. Ka filluar edhe blerja e votave, kemi informacion. Sot për shembull e kam një informacion që i kanë thënë njërit i ke 50 euro për një votë. Në qoftë se nuk na e fotografon voton, ke me i pagu 100 euro pas datës 6”, ka thënë Zeka.

Një rast tjetër, sipas Zekës, përfshin rajonin e Drenicës, ku një parti ka dhënë qindra mijëra euro për të blerë gjashtë mijë vota.

“Kemi informacion nga ndërkombëtarët se një parti politike në zyrën e saj në orën 2 të natës i ka paguar 220 mijë euro me i ble gjashtë mijë vota në Drenicë”, ka thënë kryetari i PEK’ut.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu