Milevski tërhiqet nga funksioni i ministrit

Goran Milevski ka vendosur të dorëhiqet nga funksioni i ministrit të Vetëqeverisjes Lokale. Ai për këtë ka paralajmëruar dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Dorëheqja e Milevskit vjen disa javë pasi përflitej për një reformatim të mundshëm të kabinetit qeveritar pas pakënaqësive që partitë më të vogla të koalicionit kishin për përmbajtjen e kornizës negociuese me BE-në. Megjithatë në sqarimin për Alsat ai lë të kuptohet se nuk bëhet fjalë për largim të subjektit të tij, Partisë Liberal Demokrate, nga koalicioni qeveritar.

“Kryeministri është i njoftuar me qëllimin tim por (dorëheqjen) zyrtarisht do ta dorëzoj javën e ardhshme. Tërheqja është për arsye personale. Pas kryerjes së funksionit trevjeçar ministër për Vetëqeverisje Lokale vlerësoj se është koha për t’u tërhequr dhe në këtë vend të vijë kuadër tjetër i PLD-së”, tha Goran Milevski, ministër i Vetëqeverisjes Lokale (PLD).

Mediat shkruajnë se në konkurrencë brendapartiake për pozitën e ministrit janë disa kandidatë mes të cilëve edhe ish kandidati për Qytetin e Shkupit Risto Penov.

Partia drejtuese e pushtetit, LSDM-ja, nuk e komenton dorëheqjen e paralajmëruar të Milevskit. Të pyetur nëse mendohet për ndryshim më të gjerë të përbërjes qeveritare, nga kjo parti u përgjigjën se janë të fokusuar në çështje të tjera.

“Ato janë çështje të brendshme të partnerit tanë të koalicionit PLD. Marrëdhëniet me PLD-në dhe në koalicion janë në nivel të lartë. Koalicioni i drejtuar nga LSDM-ja është i fokusuar në menaxhimin efikas të krizës energjetike dhe ekonomike si dhe në punën e përkushtuar në përfundimin e negociatave me BE-në, gjë që përfshin edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese”, thonë nga LSDM-ja.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu