Mimoza Musa në takim me sekretarin shtetëror spanjoll për BE-në: Mbështetja e Spanjës e rëndësishme për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut

Deputetja e VLEN-it dhe anëtare e Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Mimoza Musa, ka zhvilluar takim me Fernando Mariano Sampedro Markos, sekretar shtetëror për Bashkimin Evropian të Mbretërisë së Spanjës.

Gjatë takimit, Musa bëri të ditur se është diskutuar për perspektivën evropiane të vendit, procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e shfrytëzimit të momentit aktual për avancim të mëtejshëm në procesin e integrimit evropian.

“Sot, në cilësinë e deputetes dhe anëtares së Komisionit për Çështje Evropiane, mora pjesë në takimin me Fernando Mariano Sampedro Markos, sekretar shtetëror për Bashkimin Evropian të Mbretërisë së Spanjës”, ka shkruar Musa.

Ajo ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se si një vend anëtar me ndikim në BE, Spanja mund të luajë rol të rëndësishëm në avancimin e procesit të integrimit.

“E vlerësoj veçanërisht mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës për perspektivën evropiane të vendit tonë. Si një vend anëtar me ndikim në Bashkimin Evropian, Spanja mund të luajë një rol të rëndësishëm në avancimin e procesit tonë drejt anëtarësimit të plotë në familjen evropiane”, ka deklaruar Musa.

Sipas saj, zgjerimi i Bashkimit Evropian është një proces që sjell përfitime për të gjitha palët dhe e ardhmja e kontinentit qëndron në një Evropë më të bashkuar, më të fortë dhe të bazuar në vlera të përbashkëta.

Takimi, siç njoftoi deputetja e VLEN-it, ishte një mundësi për thellimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Spanjës, përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu