Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ka pritur sot, në një takim njohje, ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.
Me këtë rast, ministri Berisha, fillimisht i uroi detyrën ambasadorit Sakar, si dhe e njoftoi atë, me procesin e tranzicionit të FSK-së, dhe punën e madhe për ngritjen e kapaciteteve, të parapara me planin e tranzicionit.
“Votimi unanim i Ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, nga ana e Kuvendit të Kosovës, ka qenë një ngjarje historike për Kosovën dhe FSK-në. Ky votim ka treguar edhe njëherë për besimin e madh që ka Ushtria e Kosovës, tek të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim nacionaliteti dhe etnie“.
Ai shtoi
“Jemi të përkushtuar në realizimin e misionit si forcë multietnike dhe profesionale, që do të jetë në shërbim të paqes, stabilitetit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Kosovës“. ka shtuar më tej, z. Berisha.
Shefi politik i Forcës së Sigurisë, gjithashtu e ka falënderuar ambasadorin Sakar, për ndihmën e dhënë në vazhdimësi dhe në të gjitha etapat nga ana e Turqisë, për Kosovën.
“Përkrahja e shtetit Turk për Kosovën në përgjithësi, dhe në veçanti për FSK-në, është shumë i rëndësishëm, dhe unë ju falënderoj për përkrahjen e deritanishme duke besuar se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe më tej, nga ana e Turqisë”.










