Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavushoglu, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore me rastin e përvjetorit të tretë të tentativës për grusht shteti në Turqi nga organizata terroriste FETO.
Aktiviteti me rastin e 15 Korrikut, Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar u organizua në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (AA) nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Shkup, me kontribute të TIKA-s, Institutit Yunus Emre, Anadolu Agency (AA), Fondacionit Maarif të Turqisë dhe IBU-së.
Në program të pranishëm ishin kryediplomati turk me delegacionin e tij shoqërues, ministri pa resor i Maqedonisë së Veriut, Elvin Hasan, ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, anëtari i bordit drejtues të IBU-së, Ajdovan Ademoski, deputetë, përfaqësues të lartë të dy vendeve, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, akademikë, diplomatë dhe qytetarë të shumtë.
Ceremonia filloi me intonimin e himneve të dy shteteve dhe me shfaqjen e një videoje lidhur me 15 Korrikun, ndërsa po ashtu u lexua një mesazh i dërguar nga kryeparlamentari i Turqisë, Mustafa Shentop.
Në fjalën e tij, ministri Çavushoglu përcolli përshëndetjet e presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe shprehu kënaqësi që pas një kohe të gjatë gjendet në Maqedoninë e Veriut, të cilën e quajti si shtet mik.
“U gëzova që pashë të bashkuar komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut. Kjo është fotografia që duam ta shohim gjithmonë”, tha Çavushoglu.
Duke folur për tentativën për grusht shteti në Turqi nga organizata terroriste FETO, shefi i diplomacisë turke rikujtoi se qytetarët e Turqisë vërshuan rrugët në 81 provinca të Turqisë me thirrjen e presidentit Erdogan.
“Ne jo vetëm që mbajtëm roje pas tentativës së pabesë për grusht shteti më 15 korrik, por po ashtu hodhëm çdo hap të nevojshëm në luftën ligjore kundër kësaj organizate terroriste”, potencoi Çavushoglu.
“Dhe jo vetëm në Turqi, çdo bashkatdhetarë i yni në çdo cep të botës atë natë ishte në këmbë…Edhe komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut atë natë nuk bëri gjumë. Komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut, si çdo herë, tregoi lidhjen, solidaritetin dhe mbështetjen për Turqinë. Allahu qoftë i kënaqur me ju. Ju falënderoj shumë”, shtoi ministri i jashtëm turk.
Ai theksoi se në Maqedoninë e Veriut kishin planifikuar të vinin gjatë natës, por arritja u bë më herët për shkak të ceremonisë përkujtimore të 15 Korrikut.
“Ne deshëm t’ju bashkangjitemi. Deshëm të jemi së bashku në këtë ceremoni përkujtimore. Pak më parë u lexuan lutje në Xhaminë Mustafa Pasha dhe më në fund arritëm”, tha Çavushoglu, i cili më herët mori pjesë në një program tjetër përkujtimor dhe lexim Kurani në Shkup me këtë rast.
Ai u shpreh se komunitetin turk në këtë vend i cilësojnë si një lidhje të fortë midis dy vendeve.
Çavushoglu po ashtu tha se prej vitesh punojnë së bashku për të zhvilluar tutje marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut në çdo fushë dhe shtoi se Turqia është vendi që ka dhënë mbështetjen më të fuqishme deri më sot për integrimin e Maqedonisë së Veriut në sistemin ndërkombëtar.
“Kur askush nuk e njihte Maqedoninë me emrin kushtetues, kur përdorinin FYROM apo emra të ngjashëm, në dokumentet e NATO-s mund ta shihni në fusnotë se qëndron ‘Republika e Turqisë njeh Maqedoninë me emrin kushtetues’. Sot kemi marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe u ndërrua emri. Edhe atë e respektojmë. Në fund të fundit, në kuvend kishte votim, ne nuk përzihemi”, tha Çavushoglu, duke shtuar se Turqia do të mbështesë çdo gjë që vendos Maqedonia e Veriut dhe populli i saj.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut tani është në fazën e të qenit anëtare e plotë e NATO-s dhe shprehu shpresë që vendi do ta realizojë këtë aspiratë deri në fundi të vitit, kur do të mbahet samiti në Britani, duke rikujtuar po ashtu se Kuvendi i Turqisë dy ditë më parë ratifikoi anëtarësimin e vendit në aleancë.
“Disa vende i bëjnë shtypje Maqedonisë së Veriut që ta mbrojë FETO-n”
Më tej në fjalën e tij, ministri turk tha se organizata terroriste FETO dhe rrjeti i saj nuk kanë krijuar fole vetëm në Turqi, por se ajo vepron në mbi 160 vende të botës.
“Si gjeti hapësirë në këto mbi 160 vende? Kush u qëndron prapa? Kush sot mbështet këtë rrjet, këtë organizatë terroriste? Ne e dimë këtë, e shohim. Duke qenë pranë transferimit të kompetencave të shkollave të tyre, shohim se ato u jepen ndonjë kompanie nga ndonjë vend tjetër. Kompania e cilit vend merr kompetencat e shkollave të FETO-s sot, dijeni se ai vend është prapa FETO-s dhe i jep mbështetje. Ne e dimë shumë mirë dhe shohim se si organizata të inteligjencës përdorin FETO-n”, potencoi Çavushoglu.
Ai tha se Turqia lufton këtë organizatë si brenda me të gjitha institucionet, ashtu edhe jashtë vendit, dhe shtoi se shumë vende tashmë kanë filluar ta shohin FETO-n si organizatë terroriste dhe mbyllin shkollat e saj ose ia transferojnë Fondacionit Maarif të Turqisë.
Çavushoglu deklaroi se edhe Maqedonia e Veriut si vend mik është një shtet ku organizata terroriste FETO është vendosur dhe është forcuar.
“Dua të them haptazi se, siç thashë edhe më herët, disa vende i bëjnë presion Maqedonisë duke i thënë ta mbrojë dhe të kujdeset për FETO-n. Këtë e përjetojnë miqtë tanë maqedonas, por ne e dimë këtë gjë. Ato vende që sot i bëjnë shtypje Maqedonisë, nesër nuk do t’i dalin në ndihmë kur organizata terroriste ta dëmtojë vendin. Si gjithmonë, në ndihmë do t’i dalë komuniteti turk këtu dhe Turqia”, potencoi Çavushoglu, i cili shtoi se vendi i tij ka qenë pranë Maqedonisë së Veriut në ditët më të vështira.
“Sot Turqia nuk mund të strehojë një armik apo dikë që është kundër Maqedonisë. Ky është botëkuptimi i Turqisë. Por, të njëjtën pritje e kemi edhe nga miqtë tanë”, theksoi ai.
Në fund të fjalës së tij, Çavuşoğlu falënderoi realizatorët e kësaj mbrëmjeje.
“Falënderoj shumë TIKA-n, Institutin Yunus Emre, Anadolu Agency (AA), e cila informon gjithë botën me publikime në shumë gjuhë dhe tashmë është bërë markë botërore dhe Fondacionin Maarif, që për kohë të shkurtër dëshmoi maturinë në fushën e arsimit. Në veçanti, falënderoj shumë IBU-në si mikpritës i këtij evenimenti”, u shpreh ministri i Jashtëm i Turqisë.
Ndërkaq, ambasadorja Kara, tha se populli heroik i Turqisë nuk njeh asnjë forcë mbi vullnetin e tij dhe se më 15 korrik i ka dëshmuar botës se nuk ngurron të japë jetën për të mbrojtur shtetin dhe të ardhmen e tij.
“Populli i lavdishëm i Turqisë qëndroi i palëkundur përballë tradhtisë së organizatës terroriste FETO që është e paprecedent në historinë tonë, duke e kurorëzuar me fitore demokratike unike historinë e lavdishme nën lidershipin e shkathët të presidentit tonë”, theksoi Kara.










