Ministri Kuçi bën skandal, pas 14 vite të BDI-së në pushtet, kërkon barazi ekonomike

Pas 14 viteve qeverisje, Bashkimi Demokratik për Integrim ka vendosur të kërkojë barazi ekonomike në Maqedoni, raporton SHENJA.  Vetë ministri i ekonomisë, Driton Kuçi gjatë një takimi me dhjetëra të rinj ku shpalosi pjesë nga programi partiak, pranoi se barazia ekonomike e shqiptarëve kërkohet për herë të parë nga ana e këtij subjekti.

“Besojmë se ka ardhur koha të mos pranojmë asgjë më pak sesa barazi të plotë, prosperitet ekonomik si dhe finalizim të integrimeve në BE dhe në NATO. Këtu jemi sot që të shpalosim edhe shtyllën e parë e cila mban emrin barazi dhe progres në një ekonomi perëndimore”, ka deklaruar Driton Kuçi, ministër i ekonomisë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për dështimet e deritanishme në qëllimin për avancimin ekonomik të shqiptarëve dhe barazinë e tyre në shtet, Kuçi edhe një herë konfirmoi se gjatë qeverisjes së deritanishme BDI ka kërkuar vetëm të drejta elementare për shqiptarët.

“BDI në kontinuitet realizon atë që ka dhënë si fjalë, tani ka ardhur koha që prej sot e tutje të kërkojmë barazi të plotë. Nëse këta 10 vite ne kemi kërkuar liritë, të drejtat elementare në arsim e kështu me radhë, nga sot e tutje kërkojmë barazi të plotë ekonomike”, ka shtuar ministri Kuçi.

Në takimin ku morën pjesë dhjetëra të rinj, ministri Kuçi dhe ai Arsimit, Pishtar Lutfiu prezentuan pikat strategjike të BDI-së nga platforma ekonomike e kësaj partie. I pyetur për listat e kandidatëve për deputetë, ministri Kuçi tha se për këtë temë do të vendosin kryetari Ahmeti dhe kryesia qendrore e partisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu