Ministri rus Lavrov: Për Kosovën do ta pranojmë çdo zgjidhje që i përshtatet Serbisë

Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov përsëriti se Moska këmbëngulë në zbatimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që përfshinë edhe dialogun e drejtëpërdrejtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si dhe respektimin e integritetin territorial të Serbisë.

“Në këtë kontekst ne do të kontribojmë në çdo mënyrë të mundshme në gjetjen e zgjidhjes. Por çfarë zgjidhje konkrete mund të mbështesë Rusia? Ne kemi theksuar vazhdimisht se do të pranojmë çdo zgjidhje që i përshtatet Serbisë pikë” ka thënë Lavrov pas takimit që pati në Moskë me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

Nga ana e tij ministri serb Daçiq tha se u bisedua edhe për takimin mes presidentin rus Vladimir Putin dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq që do të zhvillohet në kuadër të forumit “Brezi dhe Rruga” i cili mbahet më 25 deri më 27 prill në Kinë.

“Serbia nuk është në gjendje të mbrojë interesat e vendit pa ndihmën e Rusisë”deklaroi Daçiq.

Ai theksoi se Serbia nuk do të ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen e çështjes së Kosovës pa konsultime me Rusinë.

Rusia është një aleate e Serbisë në raport me çështjen e Kosovës. Kur në muajin janar vizitoi Serbinë presidenti i Rusisë Vladimir Putin tha se Moska mbështet çdo zgjidhje mes Prishtinës dhe Beogradit që është në pajtim me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Takimi i dytë për këtë vit ndërmjet presidentit rus Putin dhe atij serb Vuçiq që do të zhvillohet në Kinë pritet të ketë në fokus edhe çështjen e Kosovës.

Këtë e konfirmoi të martën presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Takimi Vuçiq-Putin mbahet dy ditë para se në Berlin të takohen udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në kuadër të një iniciative të dy vendeve evropiane Gjermanisë dhe Francës për të gjetur një zgjidhje e cila do të zhbllokonte procesin e dialogut mes dy vendeve si dhe përafrimin e qëndrimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese për të dyja vendet.

Arritjen e një marrëveshjeje po e kërkon me ngulm edhe administrata amerikane.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu