Ministrja austriake për Bashkimin Europian dhe Kushtetutën, gjatë një vizite në Shqipëri ka përgëzuar zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa ka kërkuar forcimin e marrëdhënieve me vendin tonë.
Karoline Edstadler tha se Austria ka “rrënjë të forta historike me Shqipërinë”, ndërsa u shpreh se do vazhdojë përkujdesja për Rajonin.
“Dua të përgëzoj Shqipërinë për zgjedhjet e 25 prillit. Shpresoj që të mund të forcojmë marrëdhëniet për një qëllim, për perspektivën e Shqipërisë në BE. Duhet ta luftojmë virusin së bashku. Kjo është e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo situate. 145 mijë doza Pfizer do të vijnë në Shqipëri. Askush nuk është i sigurtë, nëse të gjithë nuk janë të sigurtë. Kemi rrënjë të forta historike me Shqipërinë. E kemi përzemër kujdesin në këtë rajon. Duam të mundësojmë gjithashtu lëvizshmërinë e njerëzve, prandaj po punojmë për pasaportën e gjelbër dhe do të përfshijmë edhe vendet e treta. Kjo do na çonte në normalitet. Është e qartë se do të përfshijmë edhe Shqipërinë.”, tha ajo.
Nga ana tjetër ministrja Edstadler u shpreh se Shqipëria meriton që të jetë pjesë e BE-së dhe Austria do ndihmojë në këtë proces.
“Për aq kohë sa vendet e Ballkanin Perëndimor nuk janë pjesë e BE projekti i shtetit të së drejtës nuk është i plotësuar. Ju jeni të rrethuar nga vende që janë anëtare të BE-së dhe ju meritoni që të jeni atje.”
Nga ana tjetër, ministrja Olta Xhaçka tha se Shqipëria vijoi angazhimin e saj drejt rrugës së BE-së pavarësisht kushteve të vështira të krijuara nga pandemia e Covid-19.
Sipas Xhaçkës, Shqipëria ka dhënë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të identifikuara si kushte për çeljen e negociatave.









