Trajneri i Romës, Jose Mourinho, tha se mezi po pret ta vizitojë Shqipërinë, që do të jetë hera e parë. Mourinho do ta udhëheqë Romën në ndeshjen finale të Ligës së Konferencës ndaj Feyenoordit, e cila zhvillohet më 25 maj në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
“Është një nga vendet e pakta në Evropë që nuk kam luajtur kurrë”, tha Mourinho. “Fakti që stadiumi është shumë i vogël për dy klube si Roma dhe Feyenoordi është pika e vetme negative e ndeshjes”, ka thënë Mourinho. “Por nëse do të ishte një stadium me 50,000 ose 70,000 vende, do të ishte akoma i vogël. Nëse do të luanim edhe në stadiumin ‘Santiago Bernabeu’ sërish do të ishte i vogël”.
Rreth 88 për qind e biletave të mbetura janë blerë nga tifozët shqiptarë dhe Mourinho tha se spektatorët vendas do të mbështesin Romën për shkak se pjesë e ekipit është qendërmbrojtësi Marash Kumbulla.
“Nëse Roma fiton kupën, një shqiptar e fiton kupën, një shqiptar e ngre kupën në Tiranë”, tha Mourinho. “Kjo duhet të jetë më se e mjaftueshme që populli shqiptar të mbështesë Romën”.
Ka shqetësime për dhunën për ndeshjen finale, pasi tifozët e Feyenoordit u përleshën me policinë italiane dhe dëmtuan një shatërvan historik përpara një ndeshjeje të Ligës së Evropës në Romë në vitin 2015.
UEFA, Federata Shqiptare e Futbollit dhe autoritetet kanë marrë masa paraprake për zhvillimin e sigurt të finales.
Rreth 650 persona do të garantojnë sigurinë brenda stadiumit dhe 2.000 policë jashtë tij. “Vendet si Shqipëria e meritojnë këtë mundësi”, tha Mourinho. “Më kujtohet që luajta Superkupën Evropiane mes Manchester Unitedit dhe Real Madridit në Maqedoninë e Veriut në vitin 2017 dhe ishte një ngjarje fantastike”.










