Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, ka deklaruar se po zhvillohen bisedime “nën radar” për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, por ka theksuar se detajet nuk mund të bëhen publike, pasi kjo do t’i rrezikonte negociatat.
Në një intervistë për MIA, Mucunski tha se Qeveria aktuale nuk është e gatshme të bëjë lëshime në çështjet që lidhen me identitetin, historinë, gjuhën dhe kulturën.
“Po punojmë për një zgjidhje, por jo me çdo kusht dhe jo për një zgjidhje që nuk do të ishte e qëndrueshme ose që do të krijonte rreziqe për t’u rikthyer në situatën ku ndodhemi sot,” deklaroi ai.
Mucunski theksoi se nevojitet konsensus politik për këtë çështje, duke kritikuar opozitën për vendimet e viteve 2021 dhe 2022, të cilat, sipas tij, e sollën vendin në pozitën aktuale. Ai kujtoi se në korrik të vitit 2021 ishte miratuar një rezolutë me konsensus për mbrojtjen e interesave shtetërore, por pretendon se qeveria e atëhershme e LSDM-së dhe BDI-së e shkeli atë brenda pak muajsh.
Sa i përket pretendimeve të opozitës se vendi po ngec në rrugën drejt BE-së, Mucunski tha se çështja duhet parë në dy dimensione. Sipas tij, Maqedonia e Veriut po përparon në zbatimin e reformave dhe kjo, siç u shpreh ai, do të konfirmohet edhe në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian.
Ai shtoi se sfida kryesore mbetet kontesti me Bullgarinë, të cilin e cilësoi si një problem të krijuar artificialisht, ndërsa theksoi se Qeveria synon ta zgjidhë atë pa cenuar vijat e kuqe të përcaktuara në çështjet identitare.










