Pjesëmarrja e përbashkët e LSDM-së dhe BDI-së në zgjedhjet e ardhshme presidenciale ende është e mundur konfirmojnë edhe zyrtarisht nga partia e kryeministrit Zoran Zaev. Deputeti Muhamed Zeqiri tha se nga mbledhja e fundit e BDI-së nuk ka dalë një vendim i prerë dhe se tri opsione mbeten ende të mundshme. Sipas tij, një ndër këto opsione është edhe mbështetja e një kandidati të partnerëve të koalicionit nga ana e partisë së Ali Ahmetit.
“Ne kemi thënë është e drejtë e secilit subjekt politik të marrë vendimet autoktone ashtu siç ju takon, BDI ka lënë hapsirë siç e dini nga deklarata që e ka dhënë. E para ishte se mund të dalin me kandidat, opsioni I dytë ishte se ju dha ofertë partive tjera shqiptare që të dalin me kandidat të përbashkët, opsioni tjetër ishte që të bisedojnë me partnerët e koalicionit për kandidat që ata do ta kishin përkrahur. Ende është herët, ka kohë për gjithçka, kur do të kemi rezultat konkret në këtë drejtim, sigurisht opinion do të njoftohet”,theksoi Zeqiri.
I pyetur nëse ai është kandidat i mundshëm për president nga LSDM, Zeqiri mohoi një gjë të tillë duke thënë se për këtë çështje ende zhvillohen konsultime dhe procedura brenda partisë. Kandidati i partisë më të madhe në pushtet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të zyrtarizohet në kongresin partiak që do të mbahet më 3 mars. Gjatë ditëve në vijim LSDM poashtu pritet që të vendos edhe rreth kërkesës së opozitës për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare bashkë me zgjedhjet presidenciale.
Arben Zeqiri /SHENJA/










