Me 31 janar është paraparë të mbahet seanca në të cilën do të vihet në votim buxheti për vitin 2019. Ndonëse Haradinaj është shprehur optimiste për kalimin e buxhetit, hapat paraprak që e mundësojnë kalimin e këtij ligji, nuk janë bërë ende.
Buxheti për vitin 2019 mund të kaloj në Kuvend vetëm me votat e PSD-së, por këta të fundit po shprehen të palëkundur në qëndrimet e tyre.
Nuk do ta votojnë buxhetin, pa shkarkimin e ministrit të Bujqësisë Nenad Riakllo.
E për një gjë të tillë nuk po jepen shenja nga Qeveria e Kosovës.
Por nga PSD kanë treguar edhe njëherë se buxheti mund të dështoj, por ata nuk japin votën pa përmbushjen e kërkesave të tyre.
Shqipe Pantina nga Partia Social Demokrate, i ka thënë Gazetës Blic se Qeveria i ka votat e sigurta për buxhetin, vetëm kur ta shkarkoj Rikallon.
“Shkarkimi i Ministrit të Bujqësisë, z. Nenad Rikallo është një nga 5 kushtet e parashtruara nga Partia Socialdemokrate për votimin e projekt-ligjit për buxhetin. Partia Socialdemokrate nuk e voton projekt-ligjin për buxhetin në lexim të dytë, pa shkarkimin e z.Rikallo” i ka thënë Pantina Gazetës Blic.
Ajo madje ka theksuar se vota e tyre lidhet edhe me projektligjin për Qeveri.
“Realizmi i kushteve tona është i lidhur me votimin e projekt-ligjit për buxhet në lexim te dytë, përfshirë edhe projekt-ligji për Qeverinë, që e kemi kërkuar më së largu në një afat tremujor.”ka thënë Pantina.
Rrezikun nga dështimi i buxhetit dhe shkuarjes drejt një kolapsi e kanë theksuar edhe në Institutin Demokratik të Kosovës. Sipas tyre Kuvendi është dashur të respektoj procedurat ligjore dhe të marrë vendim për zgjatjen e Ligjit për Buxhetin të vitit paraprak për muajin janar të vitit 2019.
Kjo ngase nëse buxheti i vitit 2019 nuk arrin të kaloj në janar, vendit i kanoset problemi financiar, dhe çdo pagesë jashtë këtij afatit bëhet e kundërligjshme.










