Ndeshja Shqipëri – Moldavi, stadiumi “Elbasan Arena” mbushet me policë

Sonte, prej orës 20:45, në “Elbasan Arena” do të luhet ndeshja eliminatore e grupit H, mes Shqipërisë dhe Moldavisë, e vlefshme për “Euro 2020”. Kuqezinjtë vijnë pas humbjes minimale në Islandë, ndaj pritet të bëjnë autokritikë para tifozëve shqiptarë. Se sa do të jetë numri i tyre në këtë ballafaqim, kjo mbetet të shihet. Megjithatë, policia do të zbatojë masa të rrepta para, gjatë dhe pas ndeshjes, të cilat janë si më poshtë:

“Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë publike, për zhvillimin sa më normal para, gjatë dhe deri në përfundim të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit nëpërmjet ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë dhe Moldavisë, që do të zhvillohet më datë 11.06.2019, në orën 20:45, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Duke filluar nga ora 18:00 ju bëjmë me dije se: Nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve në rrugën “Kamber Sejdini” nga Kryqëzimi i Bulevardit “Qemal Stafa” deri tek Kryqëzimi i Tapetave.

Nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve në Bulevardin “Aqif Pasha”.

Bulevardi “Qemal Stafa” në krahun e djathtë të stadiumit do të përdoret për parkimin e autobusëve të ndryshëm, që vijnë të organizuar me tifozë.

Vendparkimet e mjeteve të UEFA-s, të mjeteve të tifozëve miq, si dhe vendparkimet me autorizim do të jenë para sheshit të stadiumit.

Bulevardi “Qemal Stafa” dhe Unaza e Qytetit do të përdoren për qarkullimin e mjeteve.

Rrugë-kalimi nga Kryqëzimi i Tapetave, ish-konservimi deri në dalje në unazë dhe në spitalin Rajonal Elbasan do të shfrytëzohet për emergjencat që mund të lindin gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti. Lëvizja e mjeteve të ekipeve vendas dhe të huaj do të bëhet në rrugën “Lulet”- Posta –Bashkia – Stadium, e kthim.

Lidhur me ndeshjen do të angazhohen 356 punonjës policie nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, Komisariatet, Stacionet Policore vartëse të saj, Forcat e Posaçme Shqiponja dhe FNSH-ja. Do të merren masa për mbylljen e lokaleve që funksionojnë brenda rrethimit ku do vendosen shërbimet e policisë.

Të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, të jenë të pajisur me biletë dhe me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete:

a) sende të forta
b) shishe (të çfarëdolloji)
c) fishekzjarrë
d) monedha apo metale (të çfarëdolloj)
e) çelësa të ndryshëm

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan iu kërkon qytetarëve që të minimizojnë mbasditen e sotme deri në përfundim të aktivitetit lëvizjen e tyre me automjet brenda qytetit të Elbasanit, çka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të këtij aktiviteti”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu