Ky është fjalori i njohur i partive politike për tema me përmbajtje etnike, që përdoret gjithnjë para fushatave zgjedhore. E rikthimi i kësaj teme po ndodhë pas një deklarate të liderit të LSDM-së, Zoran Zaev gjatë kësaj jave për përdorimin më të gjerë të gjuhës shqipe.
“Në Prilep ai që mëson shqip, edhe pse përqindja është e vogël mund të fitojë të drejtën të mësojë në shkollë të muzikës në gjuhën shqipe, të shkruaj kërkesë në gjuhën shqipe”, u shpreh Zoran Zaev, Kryetar i LSDM.
VMRO-DPMNE qëndrimet e tilla të kryetarit të LSDM i sheh si tejet të rrezikshme.
“VMRO-DPMNE-ja është kundër dygjuhësisë në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë. Barazimi i gjuhës maqedonase me shqipen në të gjithë Maqedoninë, për VMRO-DPMNE, është absolutisht i papranueshëm”, tha Ilija Dimovski, nga VMRO-DPMNE.
E këtij debati iu bashkëngjit edhe kryetari i Strugës dhe partisë LR-PDSH-së, Ziadin Sela. Ai përmes një postimi në facebook ndër të tjera ka shkruar se “nëse VMRO nuk e do të barabartë shqipen me maqedonishten në gjithë Maqedoninë, atëherë të ndahet Maqedonia në dy njësi federative-shqipfolëse dhe sllavofolëse.”
Nga BDI kanë theksuar se përshëndesin deklaratën e liderit të LSDM-së Zoran Zaev. Nënkryetari i Parlamentit Rafis Aliti tha se një deklaratë e tillë duhet të përshëndetet, por sipas tij, çështja e përdorimit të gjuhës shqipe duhet të rregullohet sipas Kushtetutës dhe M.O.
Njohësit e zhvillimeve politike theksojnë se gjithnjë kur afrohen zgjedhjet, partitë mobilizohen në planin etnik, për të përfituar vota.
“Nuk është risi kjo. Çdoherë kur afrohen zgjedhjet.VMRO-DPMNE hyn në variantet e nacionalizmit ekstrem, për arsye se gjatë gjithë kohës së qeverisjes zhvilloi një nacionalizëm të butë. Kjo është ajo që u siguron që të udhëheqin një nacionalizëm të tipit Maqedonia është e maqedonasve. E instalimit të një shteti unitar në një rrafsh multietnik që ka dhënë rezultat. Partitë shqiptare e përdorin në një ilegalitet, ku nuk ka maqedonas, nuk ka kamera, dhe flasin për bashkimin e shqiptarëve, për votat shqiptare, hisen shqiptare dhe tema tjera”, tha Alajdin Demiri, Analist Politik.
Profesori universitar dhe Ish-ministri i arsimit, Nenad Novkovski thotë se partitë të mos i mjegullojnë qytetarët me çështje etnike, por të ofrojnë zgjidhje konkrete për problemet kyçe.
“Ne tanimë i kemi rregulluar apo i kemi vënë në kornizë këto çështje. Përmes Marrëveshjes së Ohrit ato janë inkorporuar në Kushtetutë dhe ligje, dhe ashtu duhet të vazhdojnë të zbatohen. Dhe çështjet e caktuara duhet të zgjidhen ashtu siç janë të rregulluara me aktet më të larta. Ndërsa partitë para zgjedhjeve të merren me probleme konkrete të qytetarëve për të përmirësuar standardin jetësor dhe që vendi sa më shpejt të afrohet në BE dhe NATO”, tha NEnad Novkovski, Profesor Universitar.
Në nenin 7 të Kushtetutës thuhet se gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë, por në paragrafin e mëposhtëm nënvizohet se gjuhë tjetër të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj. Por përdorimi i saj rregullohet me Ligjin për rregullimin e gjuhës që e përdorin së paku 20 për qind të qytetarëve në Maqedoni dhe njësitë e vetëadministrit lokal, i cili u miratua në gusht të vitit 2008.
/Naser Pajaziti