Në tetor paga mesatare 630 euro, rrogat rriten, fuqia blerëse ulet, kush kujdeset më shumë për qytetarët?!

Para disa ditësh Enti i Statistikës doli me përllogaritje për pagën mesatare në tetor të vitit 2023. Sipas njoftimit të tyre, paga mesatare ishte 38,843 denarë ose 629 euro. Pikërisht kjo është arsyeja që partia në pushtet, LSDM të dalë dhe të lavdërohet se politikat e tyre ekonomike japin rezultate dhe se qytetarët tani kanë standard më të mirë jetësor, krahasuar me periudhën kur VMRO-DPMNE ishte në pushtet.

Në kohën e DPMNE-së, në 2016, paga mesatare ishte 360 euro. Me DPMNE punëtorët kanë marrë madje 270 euro më pak se sot. DPMNE fokusin e kishte te përmendoret dhe shelgjet, ndërsa LSDM u përkushtohet qytetarëve, punëtorëve. Për DPMNE, punëtorët ishin fuqia e lirë pune, ndërsa për LSDM punëtorët dhe standardi i tyre jetësor janë të rëndësishëm”, theksoi Darko Kaevski, zëdhënës dhe deputet i LSDM.

Opozita reagoi menjëherë duke thënë se ky pushtet është përgjegjës për rritjen e varfërisë së qytetarëve.

“Qytetarët po shohin se me LSD dhe BDI në pushtet në Maqedoni jetohet më keq se kurrë. Ky pushtet është përgjegjës për rritjen e varfërisë, krimit, korrupsionit, inflacionit, fundosjen e ekonomisë, shkatërrimin e sistemit arsimor, shëndetësisë, gjyqësorit”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Megjithatë, çfarë tregojnë të dhënat e tjera? Sipas portalit “Paga ime” (“Moja plata”), 61% e të punësuarve, vetëm në rajonin e Shkupit marrin rrogë më të ulët se rroga mesatare. Nga ana tjetër, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, thotë se shporta e konsumatorëve për një familje katër anëtarëshe për muajin tetor ishte 49 198 denarë ose 796 euro, që është 166 euro më shumë se paga mesatare në të njëjtin muaj.

Sipas hulumtimeve, në vendet e rajonit, vetëm Kosova dhe Shqipëria kanë paga më të ulëta mesatare, ndërsa sllovenët, kroatët, malazezët, serbët dhe boshnjakët janë para nesh. Sipas të dhënave të “Eurostat”, për shpenzimet individuale të qytetarëve, mesatarja në Maqedoni është për 50% më e ulët se mesatarja e BE-së. Sipas hulumtimit të Asociacionit për zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës – SIGA, rreth 600 mijë qytetarët të Maqedonisë jetojnë në varfëri, ndërsa 86 mijë prej tyre jetojnë në varfëri ekstreme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu