Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, ka publikuar një video në Facebook, nëpërmjet së cilës i bën përsëri ofertë Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që të dërgojë 5 emra për ministra dhe zv.kryeministrin e parë para se Kurti të zhvillojë takimin me kreun e shtetit, Hashim Thaçi.
E menjëherë pas kësaj, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, tha se nuk e ka parë ende ofertën e re të Kurtit, por që, sipas tij, gjërat kanë ndryshuar që nga seanca konstituive e Kuvendit ku VV-ja vendosi në krye të Kuvendit, Glauk Konjufcën. “Nuk është rrugë e duhur kjo të komunikohet në publik, nuk e kam parë ofertën, por pas 26 dhjetorit ku u zgjodh kryetari i Kuvendit nga VV-ja, LDK-ja duhet ta shqyrtojë pozicionin tonë. Do të mblidhemi sot për të shqyrtuar të gjitha opsionet tona”, ka thënë shkurt Veliu për GazetaBlic.










