Nepotizmi, vetëm njëri funksionar i qeverisjes LSDM – BDI tërheq nga vendi i punës familjarët e punësuar

Vetëm njëri nga funksionarët e qeverisjes LSDM- BDI ka bërë të ditur se ka kërkuar që familjarët e tij të lënë vendet e punës, pasi që Komisioni Antikorrupsion ka konfirmuar për punësime nepotizmi. Bëhet fjalë për sekretarin gjeneral të LSDM dhe deputetin Aleksandar Kiracovski.

“Nuk kam ndikuar në punësimin e motrës dhe vjehrrës sime, por do të respektoj konkluzionet e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit”, deklaroi sekeretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski, pas vendimeve të Komisionit për punësime familjare. Ai paralajmroi se familjarët e tij do të tërhiqen nga postet, edhe pse siç tha, nuk ka ndikuar në punësimin e tyre.

“Nga vendi i punës, i cili nuk ka aspak të bëjë me nepotizëm, tërhiqet motra ime, Mirjana Josifofska dhe nëna e bashkëshortes sime. Me vullnetin e tyre, si vendim i tyre personal. Privilegjet, politizimi dhe nepotizmi nuk janë vlera të LSDM-së, por jo vetëm nuk janë as vlerat e mia”, thekson Kiracovski.

Kiracovski pret që Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të ngre procedurë edhe për punësimet e shumta partiake të VMRO-DPMNE-së dhe nepotizmin, siç shprehet ai, që e përhapën në përmasa të papara.

“Çdo gjë tjetër do të ishte diskriminimi i qytetarëve. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të ndërtojmë një shoqëri të drejtë”, thotë Kiracovski. Komisioni Antikorrupsion ka ngritur kallëzime penale ndaj funksionarëve aktual të qeverisjes, si ministra, deputetë, por edhe ndaj presidentit Gjorgje Ivanov për nepotizëm dhe avancime të paligjshme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu